Loading...

“Kosova nuk mund të jetë mish për top”/ Vetëdijësim ndërkombëtar për t’u kuptuar se një paçavure si kjo është fyese për kombin shqiptar

“Kosova nuk duhet të barrikadohet, nuk duhet ta ndalë dialogun dhe nuk duhet të nënvlerësojë rrezikun që vjen nga implikimet e këtij brutaliteti për të cilin kam ardhur këtu”, deklaroi sot nga Prishtina, Kryeministri Edi Rama.

Rama kujtoi një fakt, kur Kosovës iu kërkua të plotësonte kushtet për liberalizimin e vizave, kur edhe pse të gjitha kushtet u plotësuan doli që duhej bërë dhe demarkacioni me Malin e Zi”.

“Se çfarë lidhje kishte kjo me liberalizimin e vizave këtë e dimë, politike, se lidhje teknike nuk kishte. Nuk më rezulton se kishte ndonjë rrugë në atë zonë të kufirit që lidhte Prishtinën me Parisin apo Londrën. Ishte politike dhe ajo histori mbeti si lëmsh përpara në këmbët e Kosovës duke i thënë: zgjidheni këtë, kur ta zgjidhni do liberalizohen vizat. U zgjidh kjo dhe vizat nuk u liberalizuan. Mos u çudisni, nëse e nënvlerësojmë sot këtë brutalitet dhe nëse sot nuk shfrytëzojmë si komb, por në radhë të parë këtë duhet ta bëjë Kosova, Shqipëria ka detyrë vetëm ta mbështesë, këtë moment për ta rikthyer në sytë e bashkësisë ndërkombëtare. Gjenerata që kanë bërë luftën nuk janë më aty, pjesa dërrmuese e tyre janë në pension, flas në botën ndërkombëtare. Të tjerët ca i dinë, ca s’i dinë. Të gjithë nuk e dinë fare, flas në nivelet më të larta se çfarë historie ka drejtësia ndërkombëtare në Kosovë dhe mbi luftën e Kosovës dhe Serbisë”, tha Rama.

“Ka më pak se 10 vendime nga Haga për autoritet serbe për deportim të 1 milion njerëzve me dhunë, pa llogaritur 20 mijë raste përdhunimesh dhe pastaj edhe të gjithë të vrarët e të zhdukurit. Ndërkohë le të numërojmë sa janë personat që janë të proceduar në të gjitha ato shkallë gjyqesh, edhe këtu edhe në Hagë nga ana e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sa janë në Serbi ata që janë gjykuar për krime të luftës dhe Serbia në raport me krimet e luftës nuk i ka vetëm me Kosovën? Bëhen 20 vetë? Pra ka një disproporcion kolosal për të mos thënë tjetrën, shikoni nivelet e goditjes. Sigurisht është e vërtetë se në Hagë ishin Millosheviçi, ishte Presidenti, zv.kryeministri, Ministri i Brendshëm, komandanti i Shtabit të Përgjithshëm, por ai ishte një shtet policor dhe agresor, me një formacion ushtarak që vepronte në mënyrë vertikale dhe që u angazhua për spastrimin etnik që kapi 1 milion të deportuar”, tha Rama.

Rama tha se “po t’i kthehemi pasqyrës nga ana jonë, e Kosovës gjendja është alarmante nga kjo pikëpamje”.

“Po të hyjmë brenda zhvillimit të gjithë proceseve, të gjitha janë bërë nën mbikëqyrje ndërkombëtare. Nuk di unë të të ketë pasur asnjë autoritet shteti i Kosovës për t’i devijuar, mbyllur, penguar ato procese që kanë qenë gjitha nën monitorim ndërkombëtar. Nëse kjo situatë nuk bëhet publike dhe nuk vihet në rendin e ditës që të kuptohet mirë se Kosova nuk mund të jetë mish për top në mënyrë të vazhdueshme. Këtu vajza të reja dhe djem të rinj, ndoshta dhe më të rinj se vetë Kosova. Ka kuptim që gjyshërit dhe baballarët tuaj lëviznin lirisht në kohën e ish-Jugosllavisë dhe juve ju kërkohet vizë. Pse ndodh kjo? Natyrisht ka arsye politike në Europë ka dinamika të brendshme. Dje, komunikoja me Brukselin për listën e vendeve që do të hyjnë apo jo në rrugët e hapura për dy javët e para për koronavirusin. Bëhej diskutimi në Bruksel dhe kishte shtete europiane që thoshin: nuk duam të na vijnë këtu nga Ballkani, Turqia dhe bota njerëz të infektuar. Kjo është politike”, tha Rama.

Rama theksoi se “Kosova sot duhet të përfaqësohet e bashkuar dhe e vetëdijshme që duhet të zhvillojë 3 procese njëkohësisht”.

“Së pari, në procesin e vetëdijësimit të bashkësisë ndërkombëtare për nevojën që drejtësia ndërkombëtare të jetë e drejtë dhe për nevojën që një paçavure si kjo të kuptohet pse është fyese për kombin shqiptar, pse është fyese për luftën, për ata që sot nuk jetojmë më jo thjesht për faktin se kryetari i shtetit merret dhe trajtohet si mostër që ha njerëz. E dyta, dialogu duhet të vazhdojë me kapacitete të plota dhe e treta, pa diskutim, nuk kam pikën e dyshimit që qëndrueshmëria në proces e Kosovës duhet të dëshmohet nga brenda jashtë, se nuk mund të vijë nga jashtë brenda”, tha Rama.

“Mendoj se të gjithë duhet të bashkohemi në qëllim. Secili ka këndvështrimin e vetë për arritjen e qëllimit, por sigurisht që duhet të jemi respektues ndaj njëri-tjetrit kur mendojmë ndryshe nga njëri-tjetri. Nuk mundemi dot, të paktën për këto tema të mëdha dhe kjo është tema më e madhe e jona. Nuk kemi asnjë temë tjetër ne më të madhe se kjo. Integrimi në BE i Shqipërisë dhe i vetë Kosovës është një temë shumë e madhe, por jo kaq e madhe sa vetë njohja përfundimtare e Kosovës si shtet sovran edhe nga Serbia. Në këtë pikë, ne kemi shumë pak për t’u ndarë në armiq dhe tradhtarë. Zakonisht ata që bëjnë patriotin më të madh në këto raste janë ata që janë më të dyshuar për paaftësi për të parë të ardhmen”, tha Rama./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com