Loading...

Regjistrimi i pronave në bregdetin e Jugut/ Kadastra: Prona do të shkojë tek i zoti me dokumente ligjore dhe jo me gjoba nga njerëz të panjohur

Prej gati një muaji Kadastra Shqiptare ka nisur procesin e regjistrimit fillestar të pronave në 8 zona kadastrale të Bregdetit: Palasë, Gjilekë, Dhërmi, Himarë, Vuno, Ilias, Nivicë, Lukovë.
Në një njoftimn për shtyp Kadastra Shqiptare njoftoi se procesi po ecën me ritme normale dhe punonjësit po trokasin në çdo derë, po takojnë çdo kryefamiljar dhe po masin çdo pronë.
“Por me keqardhje konstatojmë nga banorë të zonës të cilët na denoncojnë raste, kur persona të paautorizuar paraqiten si punonjës të Kadastrës dhe premtojnë regjistrimin kundrejt shumave të parave. Është shumë i vjetër ky kurthi i gjeometrit mashtrues që, me një metër në dorë, përpiqet të trembë ndonjë fshatar të lodhur”, thuhet në një njoftim të Kadastrës.
Kadastra apeloi qytetarët për kujdes. “Prona do të shkojë tek i zoti me dokumente ligjore qe do e provojnë dhe jo me gjoba të paguara njerëzve të panjohur. Procedurat në terren do të ndiqen nga këta djem që shihni në foto, të cilët kanë të dukshëm elementët e identifikimit: xhupat fluoreshentë të verdhë dhe mbajnë të gjoks librezën identifikuese me shenjat e Kadastrës”, thuhet në njoftim.
“Mos pranoni t’i hapni derën askujt që pretendon se vjen nga Kadastra dhe nuk mban këto elementë dallues. Denonconi në Policinë e Shtetit çdo rast që ju paraqiten persona të dyshimtë. Ne jemi aty për të regjistruar pronën tuaj! Mos u joshni! Besoni tek procesi dhe Kadastra Shqiptare! Punë të mbarë së bashku”, përfundoi Kadastra Shqiptare. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com