“Legjenda e një shisheje vere” mund të titullohet rrëfimi i Ersol Cacos për traditën familjare në kultivimin dhe përpunimin e rrushit në fshatin Grabovicë të Pogradecit, aty ku sot është ngritur një prej kantinave më të mira në vend të prodhimit të verës.
Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi përcolli historinë e Ersolit, duke thënë se bëhet fjalë për një histori frymëzuese për këdo që kërkon të investojë në fshat.
Ersoli tregon se, përveçse vreshtaria është një profesion shumë i bukur, është edhe i vështirë, pasi kërkon angazhim për të përfituar rezultate konkurruese.
28-vjeçari thotë se ndonëse u shkëput me familjen për të jetuar në Pogradec, lidhja me fshatin vijon të jetë shumë e fortë e kjo falë investimit në vreshtari.
Ersoli ka studjuar Kimi Ushqimore me qëllim që t’i shërbejë rritjes së produktivitetit në vreshtari dhe prodhimit të verës në kantinën e ngritur pranë fermës së tij.
Tradita e vreshtarisë në Grabovicë është e hershme. Ersoli, thotë se vreshtaria në tokën e familjes së tij është zhvilluar në katër breza, por falë investimeve në teknologji prodhimi i verës nga kantina “Caco”, është kthyer në një markë mjaft të kërkuar nga tregu vendas.
“Pjesa e kantinës ka arritur kualitetet më të mira. Metodat tradicionale konsistojnë në fermentimin e rrushit, por teknologjia e përparuar i ka shtuar vlerë verës nga kantina jonë”, – shprehet Ersoli.
Shembulli i tij është dëshmi e punës së përkushtuar për prodhim cilësor dhe për të rritur vlerat e zonës.
Ndërsa rritja e sipërfaqeve me vreshta falë subvencioneve po rrit prodhimin për treg, edhe lehtësitë fiskale për industrinë e verës po përcaktojnë ecurinë pozitive të sektorit.
Zhvillimi i këtij sektori po rrit punësimin dhe përmirëson të ardhurat ekonomike.
“Sot në fermën me vreshta janë të punësuar mbi 20 familje të zonës dhe janë rritur të ardhurat e ekonomisë fermere. Ndërsa aplikimi në programin IPARD do të na mundësojë zbatimin e teknologjive bashkëkohore që bën diferencën në cilësi”, – thotë Ersoli.
“Vëmendja ndaj fshatit është mundësi e padiskutueshme në zhvillimin ekonomik të vendit”, shprehet ai. /atsh