Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u bëri apel bizneseve, bar-kafe dhe restorante të zbatojnë me rigorozitet protokollet higjieno-sanitare të sigurisë.
Shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemik në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini u shpreh se “këto biznese duhet të kryejnë shërbimin vetëm në ambientet e hapura dhe jo të mbyllura, duke respektuar distancimin fizik sipas udhëzimit të autoriteteve shëndetësore.
Ajo u shpreh se “për të katërtën javë të vijimit të epidemisë vazhdon një situatë serioze e rasteve të konfirmuara pozitive me COVID-19, që kanë kërkuar shtrim në spital apo rasteve në terapi intensive”.
“Një tjetër trend në rritje janë edhe rastet që kanë pësuar humbje jete. Të gjithë këta indikatorë tregojnë që virusi po vijon me të njëjtin intensitet transmetueshmërie dhe po paraqet raste me shenja klinike. Prandaj u drejtohemi si çdo ditë, qytetarëve që të mos e ulin vigjilencën dhe të zbatojnë masat e vendosura, të mbajnë maskën kudo ku nuk është e mundur të ruhet distancimi fizik, kurse bizneset të zbatojnë protokollet e miratuara, për të ruajtur punonjësit por edhe qytetarët të cilëve u shërbejnë”, tha ajo.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm për respektimin e distancës fizike me njëri-tjetrin, evitimin e kontakteve, shtrëngimit të duarve dhe përqafimeve, ruajtjen e higjienës personale.
“Mbajtja e maskës është domosdoshmëri për të parandaluar përhapjen e infeksionit në ato ambiente ku nuk ruani dot distancën. Biznese, bar, kafe, restorante, zbatoni me rigorozitet protokollet higjieno-sanitare të sigurisë. Kryeni shërbimin vetëm në ambientet e hapura dhe jo të mbyllura, duke respektuar distancimin fizik sipas udhëzimit të autoriteteve shëndetësore”, tha Tomini.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve të evitojnë festat apo ceremonitë me më shumë se 10 persona në këto ambiente, dhe për më tepër duhet të jenë të rrethit të ngushtë familjar.
“Respektimi strikt i masave të vendosura do të ruajnë shëndetin tuaj dhe njerëzve tuaj të dashur. Nëse keni shenja të sëmundjes telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 dhe në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për COVID-19”, tha Tomini./atsh