Zëvendëskryeministri Erion Braçe ftoi sot qytetarët që të vizitojnë Lagunën e Karavastasë, ndërsa sugjeroi vizitën në manastirin e Ardenicës dhe kishën e Karavastasë.
Braçe shprehet se “këto janë gjurmët jetike të qytetërimit tonë”.
“Diell ka përsëri, vapa sapo ka nisur. Kështu që përfito edhe një herë e bëje të dielën tënde ndryshe! Vizito dy pasuri të jashtëzakonshme të religjionit e kulturës shqiptare, qytetërimit tonë, manastirin e Ardenicës dhe kishën e Karavastasë”, tha ai.
“Dëgjo, mëso, shiko, pyet e merr përgjigje, ndiz një qiri për vete e të dashurit e tu! Më beso është krejt tjetër gjë! Nise në manastirin e Ardenicës në Kolonjë, Lushnjë, të çon autostrada aty. Ngjitu sipër në një kodër pishash dhe e dallon lehtësisht nga arkitektura. Pastaj kthehu pas, tek Pushimi i Shoferit merr majtas drejt deri në fshatin Gur, aty merr majtas përsëri e vijon drejt për në Karavasta, Divjakë. Rruga të çon vetë deri tek kisha e kuqe e Shën Thanasit! Qetësi, paqe, histori, art, qytetërim, besim i fortë në Zot qysh para 250-300 vitesh”, vijon Braçe.
Ai shprehet se” veç detit, lagunës, parkut, kodrave të pyllëzuara e me liqene plot, vizitorët mund të shkojnë edhe në kishat tona”./atsh