Nga ambientet e jashtme të spitalit Infektiv të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, mjeku i njohur Arjan Harxhi ka apeluar për kujdes me qëllim parandalimin e COVID-19.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka publikuar mesazhin e mjekut ndërsa ka theksuar se sjellja individuale është e rëndësishme në këtë periudhë pandemie që po kalojmë.
“Gjithësecili ka përgjegjësi e veta, përsa i përket kujdesit dhe parandalimit të COVID-19. Edhe sjellja individuale është shumë e rëndësishme. Ju lutem dëgjoni apelin e prof. Arjan Harxhit nga spitali infektiv. Me kujdes çdo ditë, e mundim”, shprehet Manastirliu.
Mjeku Harxhi thotë se pasojat e kujdesit apo moskujdesit tonë si individë, do të reflektohen në të ardhmen e afërt, të mesme apo qoftë edhe në atë afatgjatë.
“Me sëmundjet infektive është shumë e rëndësishme, dihet që çdo fushë ka përgjegjësitë e veta dhe duhet ta rishikojë këtë lloj pozicioni, përgjegjësitë që kanë institucionet shtetërore, që ka shoqëria, që ka individi sa i përket kujdesit të parandalimit por edhe për të parë sesi do të jetë pozicioni i secilit prej këtyre në të ardhmen e afërt, afatmesme dhe afatgjatë”, u shpreh Harxhi. /atsh