Loading...

Dy humbje jete brenda 24 orëve të fundit, shkon në 55 numri i viktimave prej COVID-19

Një 70-vjeçar nga Shkodra dhe një 54-vjeçar nga Tirana, të konfirmuar me COVID-19, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, kanë ndërruar jetë në spitalin infektiv, megjithë kujdesin e mjekëve dhe terapinë intensive.

Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e cila i ka shprehur ngushëllimet familjarëve të të ndjerëve.

Ndërsa ka informuar mbi situatën epidemiologjike, ministria ka bërë të ditur se në vijon të ketë raste të reja por edhe shtrime të reja në spital apo pacientë që kanë nevojë për terapi intensive.

“U drejtohemi me një lutje gjithë qytetarëve dhe bizneseve të jenë rigoroz në zbatimin e protokolleve të sigurisë, të vendoset detyrimisht maska në shërbim, edhe nga çdo qytetar kur është e pamundur ruajtja e distancës fizike, si e vetmja mënyrë për kufizimin e përhapjes së infeksionit” tha Rovena Daja, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik.

Ndërkohë që numri i rasteve ditorë po vjen gjithmonë e në rritje, Ministria e Shëndetësisë thotë se e vetmja mënyrë për përhapjen e infeksionit është ruajtja e distancës fizike.

“Të nderuar qytetarë, rastet ditore do të vazhdojnë të shfaqen në ndërmarrje biznesi, institucione, nëse ju nuk zbatoni rregullat e vendosura. E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike, duke vendosur maskën kur nuk ruani dot distancën, duke ruajtur higjienën personale, bizneset dhe institucionet duke respektuar protokollet e përcaktuara. Respektimi strikt i masave të vendosura do të ruajnë shëndetin tuaj dhe njerëzve tuaj të dashur. Shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju rikujton se për sa kohë nuk ka një vaksinë, qytetarët duhet të përshtaten me normalitetin e ri dhe të përshtasin sjelljen e tyre duke u kujdesur për zbatimin strikt të çdo rregulli të vendosur. Telefononi nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për COVID-19.Mos i neglizhoni shenjat e sëmundjes. Kontaktoni me mjekun e familjes ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga COVID-19”, tha ndër të tjera, Daja.

Numri i viktimave në vendin tonë prej COVID-19 ka shkuar në 55./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com