Loading...

“Presidenti t’i rrijë tonit institucional”, Spiropali: Nëse të gjithë bëjnë detyrën, Gjykata Kushtetuese funksionale në korrik

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe zëdhënëse e Qeverisë, Elisa Spiropali tha sot se mandati i tretë i kësaj mazhorance është tejet i rëndësishëm për finalizimin e të gjitha reformave të marra, për të mos pasur një kthim pas.

Ministrja Spiropali, gjatë një interviste televizive, u shpreh se Partia Socialiste është një parti shumë e organizuar në terren dhe organizimi elektoral ka nisur.

“Ne motorët e organizimit tonë partiak i kemi gjithnjë ndezur. Ne jemi një parti shumë e organizuar në territor dhe ka një frymëzim politik që buron nga mazhoranca në Kuvend, nga qeveria, nga reformat e marra dhe nga besimi që kemi për të marrë një mandat të tretë për të përfunduar reformat e nisura dhe çdo kthim pas do ishte fatal. Deklaratat e ish-kryeministrit Berisha apo elementëve të tjerë të opozitës që flasin për rishikim të Reformës në Drejtësi dhe reformave të tjera, që janë reforma të rëndësishme për shtetformimin, janë të rrezikshme. Këto reforma ne do t’i vazhdojmë edhe në mandatin e tretë”,- tha Spiropali.

“Organizimi ynë elektoral në territor ka nisur dhe si bashkëkryetare e PS në Qarkun e Tiranës, duam të vazhdojmë në këtë rugë në Kamëz, Kavajë, Rrogozhinë, Vorë dhe sigurisht në Tiranë ku transformimet janë të dukshme”,- tha Spiropali.

Duke folur për Reformën Zgjedhore ajo tha se nuk pati depolitizim të procesit, por vetëm ndarjen e KQZ në tre komisione. “Me forcimin e ligjit për zgjedhjet dhe me depolizitimin do kishim bërë një hap më tej për modernizimin e procesit zgjedhor. Kjo nuk u pranua, por u bë një hap përpara me KQZ, që do të ndahet në tre komisione dhe ku u gjet një rrugë e mesme”, tha Spiropali.

“Lidhur me listat e hapura, ne nuk i kemi hyrë kësaj analize, pasi jemi në fazën ku Këshilli Politik duhet të na sjellë një produkt tërësor. Ne jemi të fjalës e i qëndrojmë marrëveshjes. Jemi të përgjegjshëm që duhet të gjejmë rrugë komunikimi me opozitën parlamentare. Në këtë pikë jemi shumë të qartë, politika është tripolare sot në vendin tonë dhe nuk e kemi realizuar ne këtë trepolarizim, por largimi i PD e LSI nga Kuvendi. Ne do të bëjmë çfarë kemi mundësi për të bërë një Reformë Zgjedhore për t’i shkuar për shtat integrimit në BE”,- tha ministrja Spiropali.

E pyetur për opozitën, Spiropali tha se e sheh opozitën si gjellë e vjetër e ringrohur.

“E shoh në pozitat e atij që do të rikuperojë në një betejë shumë të gjatë humbjesh. I uroj të mira opozitës së vendit tim. S’jam nga ata njerëz që duan ta shohin opozitën të shkatërruar, edhe pse vihet re një tendencë e tillë, nga vendimmarrja e drejtuesve. Bëhet fjalë për kthim të figurave, u bëhet ftesë. Por në dijeninë time ato figura nuk janë larguar nga partia, por janë përzënë. Janë thjesht mëkëmbës. Një pjesë e madhe e PD është ende tek Berisha. PD se ka ‘vrarë babain’ për të ndryshuar qasjen ndaj politikës. Dominohet nga gjuha e urrejtjes, se ka bërë këtë kapërcim kulturor. Besoj se tani pas betejës së tyre të dështuar me miell e bojë në Kuvend, me protesta e sabotime, nuk do ta kenë të lehtë pasi besimi tek ata si forcë politike është rrënuar. S’më takon mua që të bëj një analizë për situatën brenda tyre. Çdo nismë është e mirëpritur në arenën politike. Por më duket si një nismë e re me histori të vjetër. Më duket pak si gjellë e vjetër e ringrohur.”,- u shpreh Spiropali.

E pyetur për pandeminë, Spiropali bëri thirrje për zbatimin e masave antiCovid. “Është një situatë që përsëritet këtu dhe kudo. Rrezikshmëria nuk ka kaluar dhe ende nuk dihen të gjitha karakteristikat apo virulenca e virusit, ndaj është e rëndësishme që të respektohen deri në detaj masat. Dëgjoj teori konspirative mbi mosekzistencën e virusit apo një plan të Ramës për të kontrolluar pushtetet apo dhe të Sorosit për të kontrolluar botën. Nuk mund të dalin qytetarët në protesta tufa-tufa dhe të përfundojnë në spitale, apo akoma më keq, të infektojnë dhjetëra të tjerë. Ne duhet të jemi si ditën e parë, ku qyetarët u treguan shembullorë në zbatimin e masave. Duhet të kemi durim dhe duhet të rrimë vigjilent. Është e papranueshme që të dalim në grupe dhe të bëjmë takime masive pa asnjë maskë. Sistemi shëndetësor ka qenë shembullor. Në këtë luftë ka dhe bluza të bardha, viktima të virusit. I ftoj ata qytetarë që ndoshta nuk besojnë, se në sa kushte të vështira punojnë sistemi shëndetësor. Nuk mund t’i kthehemi një mbyllje të dytë, pasi do të ishte shumë serioze për financat tona”,- tha Spiropali.

“Komiteti i Ekspertëve, Ministria e Shëndetësisë, është në diskutime të vazhdueshme. Nuk e kemi diskutuar çështjen e mbylljes së dytë, pasi do të shkaktonte dëme në ekonominë e vendit. Deri tani nuk ka rrezik për një mbyllje të dytë, ama ministrja e Shëndetësisë merr vendimet e duhura sa i përket situatës. Gjithçka është e mundur”,- shtoi ajo.

Duke folur për Reformën në Drejtësi, Spiropali tha se nëse Presidenti realizon siç duhet emërimet, në fund të korrikut, Gjykata Kushtetuese do jetë funksionale me shtatë anëtarë.

“Ne gjithmonë i kemi vlerësuar opinionet e Komisionit të Venecias. Ato janë të specializuara. Jemi të qartë se në raporte të tilla, nuk ka asnjëherë një fjalë të fundit, por një mënyrë për t’i lexuar. Ne besoj i kemi lexuar drejt dhe kemi marrë vendimet e duhura, për ne Reforma në Drejtësi është shtylla e reformave të ndërmarra nga kjo mazhorancë. Nuk kemi bërë kurrë kompromis e pazare për të. Gjykata Kushtetuese është një nga kushtet që kemi për të ecur përpara. Sa i përket Kuvendit të Shqipërisë, e ka bërë detyrën për përzgjedhjen e dy anëtarëve. Presidenti duhet të zgjedhë anëtarët e tij dhe në fund të korrikut do kemi një Gjykatë Kushtetuese, me 7 anëtarë, nëse të gjithë bëjnë detyrën e tyre”,- tha Spiropali.

“Ne jemi mësuar në fakt me uljet dhe ngritjet e tonit të ardhura nga zyra e presidentit të Republikës. Por vlerësojmë dhe respektojmë tonet institucionale. Pasi ka pasur fatkeqësisht nga zyra e presidentit, deklarata të rënda, aspak profesionale dhe aspak përfaqësuese të popullit. Këtë e kemi deklaruar dhe kemi një komision hetimor. Do të donim që presidenti t’i rrijë tonit institucional, na bën nder të gjithëve”,- nënvizoi Spiropali. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com