Kryeministri Edi Rama konfirmoi mbrëmjen e sotme se në 3 korrik do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.
“Me Hotin nuk jemi njohur nga afër, por unë e kam takuar, e kam ndjekur pak me thënë të drejtën dhe kam një pëlqyeshmëri të veçantë sepse hyjnë tek ata që nuk flasin kot. Flasin vetëm kur u duhet vërtetë të flasin dhe thonë gjërat me kompetencë për atë që flasin. Ky është shumë virtyt i madh në politikën shqiptare”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se unë nuk ndërhyj asnjëherë në politikën e brendshme të Kosovës. “Kam pasur një debat fatkeq me Ramushin për shkakun që dihet, por unë asnjëherë nuk ndërhyjë në çështje të brendshme të partive në Kosovë dhe kurrë nuk mund ta imagjinoj se si kryetar i partisë më të madhe të shqiptarëve, të organizoj protesta në Prishtinë për të bërë zgjedhje apo për të ndaluar zgjedhje, apo të fusë hundët se si duhet të trajtohen të varfërit apo të pasurit. Këto nuk janë tema ndërshtetërore. Ne bëhemi qesharak kur bëjmë të tilla gjëra sepse jemi dy shtete dhe duhet të respektojmë shteti shtetin. Gjithmonë duke mos harruar se jemi vëllezër nuk duhet që të tregojmë se çfarë duhet bërë atje te shteti tjetër”, tha Rama.
Rama tha se me Albin Kurtin nuk ka pasur përplasje, por është metodikë e partisë së Albinit që bën edhe loje me dy porta. “Me ca këtu që dalin në protestë kundër qeverisë, ndërkohë që nga ana tjetër bisedohet qeveri me qeveri. Është një lloj amalgame që nuk shkon. Në qeverisje u soll në mënyrë korrekte në raport me normat”, tha Rama./atsh