Kryeministri Edi Rama duke folur sot në foltoren e Kuvendit për aktakuzën ndaj Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, ngritur nga Tribunali special, deklaroi se teksti i aktakuzës është një njoftim ku nuk është se hidhet një baltë marramendëse thjesht mbi Hashim Thaçin apo mbi Kadri Veselin, as mbi UÇK vetëm, por mbi vetë Kosovën dhe krejt shqiptarinë.
“Besoj kam mirëkuptimin e të gjithëve ju, pa dallim, për të komunikuar përmes kësaj foltoreje me të gjithë shqiptarët lidhur me befasinë e mbrëmshme kur pothuajse të gjithë jemi prekur me të dëgjuar dhe me të lexuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës njoftoi që i ka dorëzuar për shqyrtim tribunalit special një aktakuzë ku mes të tjerash Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Parlamentit, Kadri Veseli, që të dy nismëtarë në krijimin e bërthamës së rezistencës së armatosur ndaj regjimit nacionalkomunist të Sllobodan Milosheviçit, themelues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u dyshuakan për një varg krimesh, të cilat sfidojnë dhe kufijtë më të largët të imagjinatës, vrasje të orkestruara, zhdukje të mbikëqyrura personash, përndjekje dhe trotura njerëzish të pafajshëm e të pambrojtur”, – tha Rama.
Në fakt, vijoi Kryeministri, “fjala dyshim kur lexon tekstin ku të gjitha tmerret e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë iu ngarkohen dy bashkëluftëtarëve që ende pa i mbushur të 30 i hynë detit me këmbë duke sfiduar një status quo të aprovuar konsensualisht nga vetë perëndimi demokratik dhe duke vendosur vetë jetën e tyre në pikëpyetje përballë të gjitha parashikimeve dhe këndvështrimeve të kohës, sipas të cilave Kosova e pavarur ishte një herezi ndërkombëtare, fjala dyshim kthehet në një eufemizëm juridik”.
“Të jemi të qartë, shumë të qartë. Drejtësia është drejtësi dhe nuk është drejtësia në vetvete dhe as kërkimi i saj nga një strukturë e miratuar me vullnetin e vetë Kuvendit të Kosovës, ngre pikëpyetje të mëdha të rënda, të papranueshme në heshtje, por është lexim i tekstit të shpërndarë në mbarë botën për të lajmëruar një proces gjyqësor ndaj dy prej figurave historike të luftës dhe paqes në Kosovë. Një tekst i shkruar, i cili edhe sikur të mos ketë asnjë zhvillim të mëtejshëm juridik, për ne që e kemi jetuar në rininë tonë atë kohë i ngjan një fletërrufeje të revolucionit kulturor kinez, ku fryma diskretituese e fjalëve asgjëson vetë prezumimin e pafajësisë”, – nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “pikërisht kjo e kthen atë tekst në një rrufe që godet shumë më përtej dy emrave të përveçëm duke shpërndarë nëpër krejt botën, sot e zvogëluar prej shpejtësisë së vrapimit të lajmeve, një njoftim ku nuk është se hidhet një baltë marramendëse thjesht mbi Hashim Thaçin apo mbi Kadri Veselin, as mbi UÇK vetëm, por mbi vetë Kosovën dhe krejt shqiptarinë”.
Kryeministri Rama u shpreh se “përfytyroni dikë, kudo qoftë, në cilëndo pikë të globit, ku lajmet shpëndahen me shpejtësinë e dritës që jo nuk i di detajet, por as nuk ka ide të përgjithshme mbi padrejtësinë historike të nënshtrimit me forcë të Kosovës dhe mbi tragjedinë e popullt tonë në Kosovë, duke lexuar tekstin e mbrëmshëm, që pa diskutim krijon perceptimin e tmerrshëm, të një vendi në mes të Europës ku falë krimeve ndaj njerëzimit është instaluar një regjim kriminal, e thënë ndryshe në atë tekst duket sikur lexon për atdheun e agresorëve, jo për vendin e viktimave të agresionit. Në fund të ditës ai tekst që nuk është aktakuza në vetvete, por vetëm një prelud i pakuptueshëm në aspektin juridik, në aspektin e procedurës së një drejtësie të drejtë, një prelud mediatik i një procesi që më pas vijon, por që si i tillë ngre një varg pikëpyetjesh, pikëpyetje të rënda jo vetëm në lidhje me pastërtinë e udhëheqësve politikë, por mbi vetë kauzën e UÇK-së”.
“I kam lexuar edhe ata që e justifikojnë, e aprovojnë, e mbështesin në emër të nevojës për drejtësi atë njoftim. Dua shumë të besoj duke mos qenë as nga Kosova, as nga Shqipëria nuk kanë mundur ta ndiejnë sesa thellë dhe padrejtësisht ato fjalë të hedhura në perin e botës dixhitale prekin. Dhe prekin për faktin se tashmë udhëheqësit e UÇK-së janë thuajse të tërë, them thuajse, për të mos lënë padrejtësisht jashtë si udhëheqës ndonjërin të akuzuar në 21 vjet me radhë si individ me dy koka që nga një anë kanë udhëhequr luftën çlirimtare apo procesin e shtetndërtimit në Kosovë dhe nga tjetra kanë ngrënë njerëz, fëmijë, romë, si kanibalë”, – theksoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “përballë historisë as Hashim Thaçi, as Kadri Veseli, as Ramush Haradinaj, asnjë prej krejt të akuzuarve në 21 vjet si dhe vetë UÇK në tërësi nuk kanë nevojë për asnjë mbrojtje publike, sepse përtej kësaj tërkuze të një gjyqësie eksperimentale ndërkombëtare ata janë vendosur në anën e drejtë të historisë dhe kanë bërë historinë vetë. Duke i dhënë asaj pandryshueshmërinë e mundshme në jetë të jetëve si histori e çlirimit të asaj pjese të pandashme të kombit shqiptar që quhet Kosovë”.
“Na duhet të bëjmë një hulumtim të shpejtë në kujtesë për ta sjellë tani në vëmendje se është falë tyre që u trondit ndërgjegjja tërësisht e fjetur e perëndimit demokratik dhe botës së qytetëruar në raport me Kosovën”, – tha Rama.
Kryeministri Rama theksoi se “është pikërisht falë tyre dhe falë një ndërmarrjeje çmendurake të atij grupi djemsh dhe pastaj të një armate djemsh e vajzash që i hynë detit në këmbë duke patur gjithë botën kundër. Duke mos pasur jo derë, po asnjë vesh të hapur asgjëkundi në kërkimin e asaj që duket se ka qenë aty gjithmonë, Kosova e pavarur shtet sovran. Është falë tyre që u imponua edhe reagimi me bomba i aleancës më të madhe ushtarake të planetit ndaj regjimit të mizorive të kryera në luftërat e Jugosllavisë. Mbase disa e kanë harruar, e kishin origjinën në Beograd dhe lanë pas numrin më të madh të viktimave pas Luftës së Dytë Botërore deri atëherë”. /atsh