Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur sot në Kuvend tha se akuzat ndaj Thaçit dhe Veselit për krime lufte janë shprehi të një historie lufte për çlirim të padëgjuar në planet, ku udhëheqësit e saj prej 21 vitesh gjykohen dhe rigjykohen nga institucionet ndërkombëtare pa asnjë provë.
Ndërsa e quan të vetmen histori në planet ku udhëheqësit e një vendi që kanë luftuar për liri u nënshtrohen akuzave të krimeve të luftës prej më shumë se dy dekadash, Rama u shpreh se ky është një rast unikal ku padrejtësia po merret si drejtësi.
“Qysh preh fillimit, 21 vjet drejtësia ndërkombëtarë ka hetuar thellësisht, largësisht çdo bëme të UÇK. Jam dëshmitarë për shkak të detyrës së ç’është bërë dhe se si është marrë pjesë me vullnet të plotë duke vënë në dispozicion të gjitha për të gjetur atë shtëpinë e verdhë të Edgar Allan Poe-s e cila nuk ekziston, të paktën deri më sot s’ka asnjë provë të ekzistencës së saj. Këtë nuk e them unë, por të gjitha institucionet shqiptare ose ndërkombëtarë që kanë marrë pjesë në atë kërkim të gjatë pas leximit të raportit të gjatë të Edgar Allan Poe-s”, tha Kryeministri.
“Unë kam dëgjuar gjithmonë që ka tri shkallë: shkalla e parë, shkalla e dytë, shkalla e tretë. Nuk di a ka një rast tjetër, unë nuk e kam gjetur një gjykatë me 6 shkallë ku të njëjtët njerëz hipin dhe zbresin shkallët. Dhe sikur të mos mjaftonin këto, në vitin 2015 Kosova bëri ndryshime unikale, unikale në historinë e Europës, kushtetuese dhe i hapi rrugë formimit të Tribunalit special për krime lufte. Pra, dy dekada. UNMI, EULEX, Tribunali i Hagës, gjykata të përziera, hibride, gjykata bio. Kanë administruar të gjitha me përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të komunitetit ndërkombëtar procesin e hetimeve të krimeve të Luftës Çlirimtare të Kosovës, nuk e njoh. Prap kufizim që e pranoj, një histori lufte çlirimtare në planet që të ketë pasuar 21 vjet gjykata pas gjykatash për udhëheqësit e saj, unë nuk e njoh, mbase ka në planet. Dhe që ta themi deri në fund për 2 dekada, drejtësia e Kosovës ka qenë krejtësisht nën kontroll të drejtësisë ndërkombëtare”, tha Rama.
Sipas tij, “në nivel institucional, autoritetet kosovare kanë shtrirë dorën për bashkëpunim dhe janë rreshtuar gatitu ndaj çdo institucioni ndërkombëtar për të gjykuar krimet e supozuara të luftës”.
“Por ama në 20 vjet, unë nuk e di, por kush e di të ma thotë, të ketë dalë ndonjë nivel institucional apo ndonjë figurë me autoritet, institucion në Kosovë, që të mos e ketë pasur gati shtrirë dorën e bashkëpunimit dhe të mos jetë përgjigjur gatitu në rresht për një çdo thirrje të bashkësisë ndërkombëtare për të krijuar një tjetër gjykatë për krimet e supozuara të luftës. Nëse dikush e gjen dikë të më ndihmojë, dhe i kërkoj ndjesë atyre që mund të preken nga ky konstatim”.
Lidhur me njoftimin e djeshëm për akuzat ndaj udhëheqësve kosovarë, Rama u shpreh i indinjuar.
“Po ky teksti dje, çfarë ishte. Në cilin anal të drejtësisë ndërkombëtare hyn kjo kategori e një njoftimi kështu si papritur dhe ajo gjuhë që nuk bëhet fjalë farë as për të dyshuar, as për të prezumuar. Bëhet fjalë për dy monstra të cilëve ju ka ardhur fundi. Fund të cilit për fat të keq disa gati sa nuk janë gati ta festojnë mes shqiptarësh duke mos kuptuar që këtu nuk është fjala as për Kadri as për Hashim, këtu është fjala për diçka tjetër që po mundohem ta shpjegoj. Këtu është fjala për një fakt që ndërkohë që në anën e këtij shteti të krijuar nga vullneti çlirimtar dhe nga forca e bashkuar e botës demokratike kemi këtë panoramë, asgjë e ngjashme nuk ka ndodhur në atë shtetin tjetër ku u orkestrua pastrimi etnik. Si ka mundësi? Çfarë është kjo? Si mund të jetë një proces dinjitoz drejtësie ndërkombëtare, një proces kaq i njëanshëm dhe mbi të gjitha kaq i njëanshëm në anën ku shpresoj që një ditë të mos dalë dikush e të na thotë që ishte ana e atyre që ishin shkaku i vërtetë, siç ndodh për fat të keq me revizionimin e historisë, ku harrohet dhimbja e plagëve, ku harron edhe kufomat dhe ku fillon deformimi i botës mbi vetveten, i njerëzimit mbi vetveten. Kanë ndodhur këto gjëra e do të ndodhin. Sot ka më shumë seç kishte dje për fat të keq”, deklaroi Kryeministri Rama./atsh