Loading...

Meta kthen në Kuvend ligjin “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ktheu sot në Kuvend për rishqyrtim ligjin “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”.

Në arsyet e kthimit të këtij ligji Meta shprehet se, “rregullimi i kuadrit normativ në këtë fushë me këtë ligj, duhet parë i lidhur me tre aspekte kryesore.

Së pari, lidhet me gjendjen aktuale në Shqipëri dhe nevojën e përmbushjes paraprake të disa parakushteve dhe standardeve që mundësojnë funksionimin efektiv të tregjeve financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë.

Së dyti, lidhet me rrezikun e shtuar të transaksioneve ilegale, të pastrimit të parave dhe të shmangies fiskale.

Së treti, lidhet me vetë disa problematika që paraqesin dispozita të ligjit dhe shpjegimet e dhëna në relacionin shoqërues”.

“Lidhur me gjendjen aktuale në Shqipëri dhe nevojën e përmbushjes paraprake të disa parakushteve dhe standardeve që mundësojnë funksionimin efektiv të tregjeve financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, Meta thekson se, “rregullimi i emetimit të tokenëve digjitalë dhe/ose të monedhave virtuale edhe pse është një risi teknologjike që përmban anë pozitive, në kushtet akutale, për shkak të mungesës së plotësimit të kushteve dhe standardeve që kërkojnë tregje të tilla të regjistrave të shpërndarë, mund të jetë një proces i parakohshëm për t’u miratuar dhe/ose për t`u zbatuar. Kjo për shkak të rreziqeve dhe anëve negative të përdorimit të tokenëve digjitalë dhe/ose të monedhave virtuale, që janë të shumta”, tha Meta.

“Ndaj, edhe në këtë rast, është momenti që të reflektohet mbi faktin se, zhvillimi tregjeve financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë, kërkon patjetër plotësimin e parakushteve, në mënyrë të veçantë adresimin e standardeve të dobëta të qeverisjes së korporatave, dhe nga ana tjetër forcimin e kapaciteteve të institucioneve shtetërore mbikëqyrëse të këtyre tregjeve, për të përballuar në kohë rrezikun që mund të shfaqet. Kjo për të rritur nivelin e sigurisë së produkteve financiare dhe të vetë stabilitetit ekonomiko-financiar, në mbrojtje të interesit publik”, shprehet Meta.

Lidhur me rrezikun e shtuar të transaksioneve ilegale, të pastrimit të parave dhe të shmangies fiskale, Meta shton se, “të dhënat publike tregojnë se, në të gjitha vendet ka patur një shqetësim mbi rastet e shumta të mashtrimit nëpërmjet emetimit dhe tregtimit të tokenëve digjitalë dhe/ose monedhave virtuale”.

“Miratimi i ligjeve në këtë fushë mbetet ende një risi dhe për vendet e zhvilluara, ndërsa në Shqipëri, ndërmerren direkt hapa për implementimin e tyre pa një vlerësim të mirëfilltë, vlerësim ky që mungon në praktikën dokumentare parlamentare. Implementimi i dispozitave të tilla ligjore, në një realitet si ky i yni, bart me vete rrezikun e shumëfishimit të rreziqeve negative që kjo risi paraqet në vende të zhvilluara. Këto rreziqe mund të sjellin pasoja sociale brenda familjeve shqiptare dhe pasoja ekonomike, deri në atë masë sa mund të lëkundin stabilitetin e monedhës vendase, rritjen e inflacionit apo të kursit të këmbimit të lekut me monedha të huaja”, nënvizon Meta.

“Ndaj një nismë e tillë, e miratuar pa një vlerësim të thelluar të kushteve ekonomike dhe rregullatore të vendit, që nuk synon të përafrojë asnjë rregullore apo direktivë, rrezikon të cenojë interesin publik në tërësi, për shkak se prek shumë aspekte të jetës dhe veprimtarisë së përditshme”, thekson Meta./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com