Loading...

Basha: Kryesia e PD-së do marrë vendimin e rëndësishëm për zgjedhjen e kandidatëve nga anëtarësia

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha sot se kryesia e Partisë Demokratike do të marrë nesër një vendim të rëndësishëm për shoqërinë dhe politikën shqiptare për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve, në ushtrimin më të madh demokratik që ndonjë parti politike ka bërë ndonjëherë në Shqipëri.

Basha tha se “me mbështetjen dhe ndihmën e vyer të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), pranë Partisë Republikane të SHBA dhe të Partisë Konservatore Britanike e Fondacionit Uestminster për Demokracinë kemi garantuar parimet dhe rregullat për përfshirjen e drejtpërdrejtë të anëtarësisë në propozimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve”.

“Një ditë përpara këtij vendimi të rëndësishëm, pata kënaqësinë të falenderoj gjatë një videokonference David Jones, Drejtuesin e Panelit Parlamentar për Vlerësimin e Kandidatëve në Partinë Konservatore Britanike dhe Thibault Muzergues, Drejtor i Programit për Europën në Institutin Ndërkombëtar Republikan për ndihmën e çmuar që na kanë dhënë në këtë rrugëtim sfidues”, tha ai.

Po ashtu, Basha shtoi se “miqtë tanë ndanë me mua sot besimin se modeli që do të miratojmë nesër në kryesinë e Partisë Demokratike, do të kontribuojë për demokratizimin e jetës politike dhe duhet të jetë shembull edhe për partitë e tjera në vend.Ky është një hap i rëndësishëm për demokracinë tonë. Natyrisht gara e vërtetë për demokratët dhe opozitën nis pas këtij procesi, për t’i dhënë Shqipërisë një qeveri që punon për njerëzit, dhe jo për vete”. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com