Loading...

Akuzat e Prokurorisë Speciale për Thaçin e Veselin, reagime

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë njoftoi përmes një komunikate për media se më 24 prill 2020 iu ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

“Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”, thuhet në komunikatën e ZPS-së.

Aktakuza thuhet se është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e Zyrës së Prokurorit tё Specializuar se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm.

Komunikata vijon duke potencuar se një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.

“Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së. Besohet se z. Thaçi dhe z. Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë, nëpërmjet këtyre veprimeve, z. Thaçi dhe z. Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Meta: Besojmë në pafajësinë e Thaçit, Veselit dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre

Presidenti Ilir Meta ka reaguar ndaj kësaj aktakuze dhe shprehet se vlerëson luftën e UÇK-së të popullit të Kosovës kundër dhunës dhe gjenocidit të regjimit serb të drejtuar nga Millosheviçi, si dhe beson te pafajësia e presidentit Hashim Thaçi, e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe të bashkëluftëtarëve të tyre.

Meta tha se “lufta e UÇK-së, që iu imponua popullit të Kosovës nga shtypja dhe gjenocidi i regjimit kriminal të Millosheviçit, rezultoi se ishte e drejtë dhe vendimtare, jo vetëm për lirinë dhe themelimin e Republikës së Kosovës në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, por edhe për paqen, stabilitetin dhe ardhmërinë e saj europiane dhe të rajonit tonë”.

“Ne besojmë në pafajësinë e Presidentit Hashim Thaçi, ish-Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre”, theksoi ai.

Po ashtu Meta shton se “edhe më parë janë ngritur akuza ndaj ish-drejtuesve të UÇK, por pafajësia e tyre dhe drejtësia e luftës është konfirmuar. Ne besojmë se kjo do të ndodhë përsëri”.

Gjithashtu ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka reaguar sot në lidhje me padinë e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës kundër presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Cakaj: Nuk ka forcë në botë që të rishkruajë historinë e të njollosë UÇK-në

Cakaj në reagimin e tij thekson se, “lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe e drejtë! UÇK-ja është jo vetëm pika më e lartë e përpjekjeve historike të popullit të Kosovës për liri e vetëvendosje, por edhe kapitulli më i lavdishëm i historisë sonë kombëtare. PIKË”.

“Prandaj, sot, duke qenë krejtësisht të bindur në pafajësinë e tyre të plotë e duke njohur me nderim të thellë punën e tyre në shërbim të kombit shqiptar e vlerave njerëzore, mbështetje e pakursyer për Hashim Thaçin e Kadri Veselin, gjithnjë duke kujtuar kryelartë e ballëhapur gjithë historinë e ndritur e të paqtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Cakaj.

Ai shtoi se, “atë që mund ta mbulojë mjegulla e politikës ditore, nuk mund ta fshehë kurrë as historia: krenar me punën e tyre për çlirimin e Kosovës dhe ndërtimin e shtetësisë së saj që nga themeli. Kaq”.

“Mirënjohje, nderim e krenari, natyrisht, për çdo pjesëtar të UÇK-së për shërbimin e pastër ndaj vendit dhe qëndrimit në faqen e bardhë të historisë. Mbase në botë mund të ndodhin shumë çudira, por nuk ka asnjë forcë mbi rruzullin tokësor që mund ta rishkruajë historinë, njollosë UÇK-në, a tjetërsojë përpjekjen e popullit shqiptar për drejtësi dhe çlirim! Nderim udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, përfundoi Cakaj reagimin e tij.

Majko: UÇK-ja është luftë për liri

Edhe ministri i Shtetit për Diasporën dhe ish-kryeministër në kohën e luftës së Kosovës, Pandeli Majko ka reguar sot në lidhje me padinë e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës kundër presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Majko shprehet se është në krah të tyre dhe se UÇK është lufta për liri.

“Drejtësia e Gjykatës së Hagës ka ngritur akuza ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaci dhe Kadri Veseli”, shprehet ai.

Majko theksoi se “UÇK-ja është luftë për liri! Lufta për liri është “shkelje e ligjit”. Është ligji i agresorit mbi viktimën. Kështu ka qenë dhe do të jetë! Jam në krah të Hashimit dhe Kadriut”. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com