Mjeku i njohur në spitalin Infektiv, Tritan Kalo ka kërkuar nga qytetarët vetëndërgjegjësim pasi sipas tij kujdesi për veten dhe të tjerët ka nisur të nënvlerësohet edhe pse virusi është ende mes nesh.
Ai thotë se po kryen çdo ditë të njëjtën rutinë sikur ndodhi edhe para disa muaj, kur ky virus u shfaq edhe në Shqipëri. Sipas tij, personeli shëndetësor mbetet i papërtuar për të ndihmuar çdo të sëmurë në këto kohë të cilat Kalo i quan “kohë kovidiane”.
“Kohë kovidiane….sensibilizimin ynë, vetëndërgjegjësimi, kujdesi për veten dhe të tjerët rreth nesh këto ditët e fundit kanë filluar të harohen e nënvlerësohen për shumë e shumë prej jush….MOS haroni se Sars-Cov2/Covid-19 “gjallon” ende mes nesh”, u shpreh Kalo.
Kalo i rikujton ndër të tjera qytetarëve që kujdesi i vazhdueshëm për veten dhe të tjerët nuk duhet të nënvlerësohet dhe vetëm në këtë mënyrë mund t’i dilet mbanë kësaj sfide jo të lehtë.
“Kujdesi i vazhdueshëm ndaj vetes dhe të tjerëve kurrë nuk duhet nënvlerësuar. Së bashku do ia dalim mbanë përballjes me këtë sfidë jo lehtë për t’u fituar”, thekson ndër të tjera mjeku i njohur. /atsh