Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “vota e emigrantëve është një angazhim programor dhe publik i marrë prej nesh, por në kushtet specifike kur duhet negociuar mes tri palësh, vetvetiu optimizmi për realizmin e kësaj mundësie është shumë më i vogël se normalisht”.
Kryeministri Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim online me Këshillin Koordinues të Diasporës për të diskutuar “Votën e Diasporës në Reformën Zgjedhore”.
“Arsyeja e këtij takimi është diskutimi i mundësive praktike për votimin e shtetasve shqiptarë që janë me banim jashtë vendit dhe natyrisht një sqarim mbi procesin e deritanishëm dhe faktikisht edhe mbi rrethanat aktuale në një kontekst më të gjerë, sesa thjesht kjo çështje”, – tha Rama.
Ai theksoi se “së pari, vota e emigrantëve është një angazhim programor dhe publik i marrë prej nesh. Së dyti, ne kemi punuar në funksion të këtij angazhimi paralelisht me procesin politik, i cili për shumë arsye që nuk është nevoja t’i shtjellojmë, është një proces shumë i vonuar për Reformën Zgjedhore në funksion të zgjedhjeve të ardhshme”, – tha Rama.
Ai siguroi se “ne as na ka munguar, as na mungon vullneti politik për ta realizuar këtë objektiv, që në këndvështrimin tonë ka rëndësi të veçantë dhe është një prej objektivave strategjikë që lidhen me mjedisin dhe kornizën e zhvillimit të zgjedhjeve në Shqipëri”.
“Unë i kam ndjekur gjithë përpjekjet dhe diskutimet tuaja dhe më vjen mirë që kontakti me qeverinë drejtpërdrejt nuk ka munguar, si rezultat i angazhimit të drejtpërdrejtë të ministrit Majko. Më vjen keq që në njëfarë mënyre ju keni vënë në dyshim vullnetin tonë, kjo e kapërcyeshme dhe lehtësisht e shpjegueshme”, – tha Rama.
Kryeministri theksoi se “ne jemi në proces të një Reforme Zgjedhore të pandodhur më parë, pasi sot nuk jemi dy palë por jemi tri palë, dhe në një farë mënyre skena e palëve politike që duhet të merren vesh për zgjedhjet është trepolare”.
“Kemi shumicën parlamentare nga njëra anë, një opozitë jashtëparlamentit dhe një opozitë brenda. E theksoj këtë, se nga pikëpamja aritmetike Kodi dhe Reforma Zgjedhore në tërësi kërkojnë një shumicë të cilësuar që ne nuk e disponojmë sot numerikisht në Kuvend. Nga pikëpamja e traditës po ashtu duam të respektojmë një vijimësi të një procesi gjithëpërfshirës. Ky proces në kontekstin ku jemi nënkupton mirëkuptim mes 3 palësh, nga ana jonë si shumicë me dy pole të tjera politike, që pavarësisht se janë produkt i të njëjtit bark apo burim përzgjedhjeje sot janë në divergjencë ekstreme njëri-tjetrin”, – tha Rama.
Kryeministri theksoi se “na duhet një mirëkuptim me tolerancë reciproke nga të treja palët”.
“Kur vjen puna te vota e emigrantëve nuk ka divergjencë të shfaqur, por nuk është se kemi dakordësi në momentin që flasim pasi djalli është gjithmonë në detaje. Në parim nuk ka parti të thotë nuk duam që emigrantët të votojnë, por kur vjen puna si duhet të votojnë dhe mundësitë në dispozicion, mundësitë janë shumë të kufizuara. Procesi ka qenë goxha i ngatërrruar dhe konfliktual dhe ulja në tryezë për këtë reformë është bërë në një vonesë të jashtëzakonshme. Në kushte specifike kur duhet negociuar mes tri palësh, vetvetiu optimizmi për realizmin e kësaj mundësie është shumë më i vogël se normalisht”, – tha Rama.
Kryeministri theksoi se “ne e kemi studiuar dhe analizën e metodave të realizimit të votimit nga jashtë por për arsye historike të konfliktit politik ne e kemi përjashtuar mundësinë e votimit në ambasada e konsullata, që do të ishte një arsye kontestimi dhe mosbesimi shumë të madh”.
“Edhe pse mund të ishte i realizueshëm pa asnjë problem nga pikëpamja e integritetit, është më i vështirë nga pikëpamja e lëvizshmërisë dhe afërsisë me ambasadat e konsullatat. Ne kemi lënë si alternativë të vetme votimin me postë, që ka një sërë ekzigjencash të domosdoshme që lidhen me regjistrimin, me adresën e emigrantit në vendin ku është. Ky është një proces që kërkon goxha kohë. Ne kemi ecur nga pikëpamja e kuadrit ligjor, nuk kemi humbur kohë në pikëpamje të infrastrukturës, por jemi në këto kushte sot”, – tha Rama.
Ai tha se opozita në parlament e ka këtë një kërkesë shumë insistuese, ne vetë e kemi objektiv dhe angazhim politik dhe programor dhe jemi duke punuar çdo ditë.
“Jemi duke punuar për një opsion elektronik të regjistrimit, një opsion përputhshmërie mes listës së votuesve dhe listës së personave të interesuar, por jemi ende herët sot të themi me siguri që jemi në kushtet kur kjo gjë mund të realizohet. Kam besim se në një mënyrë apo në një tjetër mund të hyjmë në këtë proces, qoftë edhe me një projekt pilot”, – tha ai. /atsh