Edhe pse numri i rasteve pozitivë me COVID-19 ditën e sotme ka shënuar rënie, ka numër të lartë shtrimesh në Spitalin Infektiv. Bluzat e bardha ripërsërisin thirrjen për kujdes dhe ruajtje të distancimit fizik nga njëri-tjetri.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka publikuar mesazhin e Nevila Gjermenit, mjeke pranë Spitalit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” e cila thotë se situata duhet të vazhdojë të mbahet nën kontroll e për këtë ajo kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve dhe ndërgjegësimin e tyre për t’u kujdesur në këtë fazë të pandemisë.
“Mjekët dhe infermierët e spitalit infektiv po përballen me një fluks të shtuar qytetarësh që kanë nevojë për trajtim mjekësor si pasojë e simptomave të rënda të COVID19. Nuk është asnjëherë e tepërt lutja e tyre për më shumë kujdes! Ju lutem dëgjoni apelin e dr. Nevila Gjermenit, e cila prej më shumë se 3 muajsh është çdo ditë në vijën e parë të përballjes me COVID19”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.
“Do të nisja me një lutje për të gjithë popullatën pavarësisht se gjërat shkuan mirë, duam që gjithçka të vazhdojë mirë, ashtu sikurse e filluam mirë. Kështu që, ju lutem të gjithë popullatës të vazhdojnë të kujdesen për veten, të vazhdojnë të kujdesen për familjarët e tyre, të vazhdojnë të kujdesen për njerëzit e tyre të dashur duke zbatuar rregullat e higjienës dhe distancimit social”, tha Gjermeni në mesazhin e saj drejtuar qytetarëve. /atsh