Loading...

Rritje e të shtruarve në Infektiv, Tomini: Po preken dhe moshat më të reja, duhet ndërgjegjësim maksimal për zbatimin e masave

Shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemik në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini deklaroi mëngjesin e së hënës se jo vetëm është rritur numri i personave të shtruar në spital me COVID-19 por janë prekur edhe moshat më të reja.

Në një intervistë televizive, Tomini argumentoi se numri aktual i të shtruarve përkon me të njëjtën periudhe të mëparshme të muajit mars ku kontaktet ishin të pakta dhe më herët u konsiderua piku i kësaj epidemie. Sipas saj, moshat e reja rreth 30-40 vjeç të prekur nga kjo sëmundje, përgjithesisht kanë patologji bashkëshoqëruese.

“Aktualisht në Spitalin Infektiv kemi 10 raste që janë në terapi intensive. Është një trend i lartë përsa i përket asistencës së terapisë intensive në spitalin infektiv. Ndëkohë që aktualisht kemi 78 të shtruar gjë që përkon paralelisht me një situatë që e konsideronim pikun nën efektin e masave në periudhën e marsit. Të them të vërtetën, po të krahasojmë të dy nivelet janë gati të njëjta. Por në terapi intensive kemi më shumë raste ndërkohë që duhet të theksohet që kemi një zgjerim të moshës së prekur nga ajo që kishim. Në periudhën e epidemisë nën efektin e masave kishim të prekur të moshës mbi 50, 65 vjeç ndërsa aktualisht kemi edhe moshë të re 30-40 vjeç. Duket që virusi është prezent dhe transmetueshmëria është po njëlloj. Kemi të sëmurë të shtruar të kësaj moshë që kanë shprehur simptomatologji. Mund të mos kenë patologji bashkëshoqëruese por duhet thënë që shumica kanë patologji bashkëshoqëruese. Fakti që kjo periudhë ka prekje të grupmoshës më të re me simptomatologji, duhe që ndërgjegjësimi i popullatës të jetë në nivel shumë të lartë dhe duhet të kuptojnë që virusi ka transmetueshmëri dhe virulenca e tij nuk është zbutur me kalimin e muajve”, u shpreh Tomini.

E pyetur mbi rritjen e testimeve, ajo theksoi se me rritjen e numrit të të prekurve nga infeksioni, rritet edhe gjurmimi i kontakteve në terren.

“Fakti është që rritja e testimeve ka lidhje me një zgjerim të drejtpërdrejt të kontakteve gjatë 24 orëve. Ndërkohë që në fazën e karantinës ne kishim kontakte minimale , kjo reflektohej në nivelin e testimeve që paraqitej në ato javë. Aktualisht me shtimin e aktiviteteve të përditshme qofshin ato jetësore por edhe aktivitete argëtuese, kontaktet janë shumë më tepër sesa në kohën e izolimit dhe kjo reflektohet në shtimin e kontakteve që duhen etstuar. Rastet pozitivë asimptomatikë transmetojnë tek personat e tjerë të kontaktit në shifër shumë herë më të lartë sesa fillimi. Nuk do të thotë, sigurisht që nuk ka vend të testojmë akoma më shumë por është shumë e rëndësishme strategjia. Çdo rast i dyshuar ka ndjekje të kontakteve të mundshme dhe për rrjedhojë janë të gjithë të testuar. Sa më shumë raste do të kemi aq më shumë do të jetë edhe gjurmimi aktiv në terren që përkon edhe me ndjekjen e kontakteve dytësore apo tretësore”, theksoi Tomini.

Shefja e Survejancës dhe shërbimit të Inteligjencës Epidemike në ISHP apeloi për ndërgjegjësim të popullatës në nivele më të larta. Ajo tha se virusi nuk e ka ulur nivelin e transmetueshmërinë.

“Ndërgjegjësimi në këtë fazë i gjithë popullatës është me shumë vlerë. Çdo person i evidentuar pozitiv pavarësisht që nuk ka simptoma, ai është i rrezikshëm për transmetimin e sëmundjes për familjarët por edhe për shoqërinë që ai rri dhe kontaktet që mund të ketë. Është shumë e rëndësishme të vetëizolohemi. Mosprezenca e shenjave nuk e bën atë më pak të transmetueshëm përkundrejt Covidit. Përkundrazi, mosprezenca e shenjave e bën atë që të transmetojë sëmundjen. Duhet të ndjekin distancimin fizik dhe aty ku nuk respektohet mbajtja e maskës aq më tepër në ambientet e mbyllura është një domosdoshmëri e cila parandalon, mbron të tjerër dhe sigurisht ana e kundërt apo të tjerët duhet të mbrojnë ty. Normalisht nëse vetëm ti vendos maskë dhe pjesa tjetër e popullatës brenda këtij ambienti nuk vendos maskë, ti përkundrazi je i rrezikur ndërsa pjesa tjetër është e mbrojtur përkundrejt asaj çka mund të transmetosh. Prandaj distancimi fizik, higjiena personale ka shumë vlerë në këtë momente dhe duhet të shtohet në një shkallë më të lartë ndërgjegjësimi”, theksoi Tomini./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com