Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, deklaroi sot se “kthim pas nuk do të ketë, por do të ketë një kontroll të shtuar në të gjitha nivelet duke shtuar inspektimet në terren nga gjithë task forca anti-COVID dhe gjithashtu dhe në spitalet tona për të mos ulur në asnjë moment vigjilencën”.
Në një intervistë televizive duke folur për shtimin e rasteve menjëherë pas heqjes së kufizimeve , ministrja theksoi se lidhet me mos respektimin e masave anti-COVID.
“Duke qenë se spitalet janë vende të ekspozuara, është një fenomen e ka ndodhur dhe në vende të tjera, ku ka lindur një infeksion, i cili më pas për arsye të hetimit epidemiologjik dhe masave që janë marrë është ndërprerë në kohë”, – tha Manastirliu.
Ministrja i bëri apel bluzave të bardha të përdorin masat mbrojtëse gjatë ofrimit të shërbimit.
“Mjekët, infermierët i disponojnë të gjithë materialet e mbrojtjes personale dhe ajo çfarë duhet është vetëm zbatimi i protokolleve të sigurisë në këto spitale”, – tha Manastirliu.
Qendra spitalore universitare “Nënë Tereza”, vijoi, ministrja, ashtu si edhe 42 spitalet e vendit do të vijojnë të japin shërbim për çdo pacient, ndërsa testit për koronavirus do t’i nënshtrohen vetëm ata që kanë simptoma.
“Kur një pacient kërkon të marr një shërbim shëndetësor, por ka simptoma dhe është i dyshuar për COVID-19, atëherë atij i merret tamponi, vendoset në një dhomë të izoluar me një staf të dedikuar i cili është i veshur dhe më pas, pas përgjigjes se tamponit vijohet me shërbimet e tjera. Në një epidemi çdo rast që të vjen përballë duhet menduar që mund të jetë rast që mund të mbart COVID-19, ndaj përgjigja ndaj këtij infeksioni është masat e mbrojtjes personale”, – nënvizoi Manastirliu./atsh