Policia Vlorës ka intensifikuar kontrollet e saj për zbatimin nga ana e qytetarëve dhe bizneset masave dhe protokolleve të caktuara për mos përhapjen e koronavirusit.
Artion Duka, Kreu i Policisë së Vlorës, në një prononcim për mediat ka bërë të ditur se kontrollet do intensifikohen, veçanërisht nëpër lokale dhe bare.
“Siç dhe jeni në dijeni edhe qyteti i Vlorës është bërë një nga pikat e nxehta për sa i përket situatë së COVID-19. Policia ka shtuar masat për kontrollin dhe zbatimin e rregullave për aktin normativ të dalë nga kjo situatë. Ne kemi dalë për të parë nëse respektohen rregullat, distancimi fizik, masat që duhen marrë për mbarëvajtjen e jetës së qytetarëve”,- tha Duka.
“Dua t’i bëjë apel qytetarëve të Vlorës, ne si qytetarë duhet t’i shmangim në maksimum grumbullimet. Ne si Polici kemi marrë përsipër të mos i lejojmë këto lloj grumbullimesh. Është përgjegjësi individuale nëse do tentojnë të grumbullohen dhe ne do zbatojmë ligjin me rigorozitet”,- tha Duka.
“Qytetarët e Vlorës duhet të ruajnë distancim fizik në ceremonitë mortore, pasi duke nisur nga sot do i monitorojmë dhe këto ceremoni. Do zbatojmë me rigorozitet aktin normativ. Ne do i japim një autorizim për mjete që do shoqërojnë të ndjerin”,- tha më tej Duka.
“Doja t’i bëja thirrje personave të infektuar dhe familjarëve të tyre, që janë në shtëpi, të respektojnë mos daljen nga banesa dhe të respektojnë karantinimin. Ne kemi të gjithë emrat dhe kontaktet. I kemi bërë thirrje të mos dalin dhe të respektojnë rregullat e karantimit. Kemi bashkëpunuar dhe me bashkinë e Vlorës për t’i dërguar ushqime me qëllim për të eliminuar daljen e tyre nga banesa”,- tha Kreu i Policisë së Vlorës.
“Sa i takon kontrolleve në bare e lokale, ne në këtë rast, jemi forcë mbështetëse e inspektorateve që kanë për detyrë monitorimin e këtyre aktiviteteve. Të gjithë bar kafet me ambientet e mbyllura nuk do të funksionojnë. Ato të hapura duhet të respektojnë distancimin fizik. Kjo gjë s’bëhet vetëm me urdhër, por duhet dhe sensibilizim për distancimin fizik. Tani jemi futur në një pikë rreziku për situatën COVID-19. Qyteti i Vlorë nuk është më vetëm me një vatër, por ka disa vatra dhe nuk përcaktojmë dot një zonë apo një tjetër. I kemi në monitorim çdo ditë të gjitha zonat dhe të gjithë qytetin për respektimin e masave”, -garantoi Kreu i Policisë së Vlorës, Artion Duka./atsh