Loading...

“Me policë e ushtarë kontrollon mbylljen, por nuk mund të disiplinosh hapjen”/ Fati i luftës vendoset nga vetë qytetarët

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “numrat e të infektuarve me COVID-19 në Shqipëri janë shqetësues, por ende nën kontroll”, ndërsa u bëri thirrje bizneseve dhe qytetarëve të respektojnë protokollet e sigurisë së shëndetit.

Rama tha se “testimet janë rritur dhe përpjekja në frontin e shëndetësisë vazhdon njësoj me përkushtim, angazhim total e heroik të mjekëve dhe infermierëve”.

Ai theksoi se “gatishmëria jonë rritet me shtimin e investimeve dhe mjeteve, por ama fati i kësaj lufte vendoset nga qytetarët jo nga bluzat e bardha, por si dhe sa i bën detyrat e thjeshta çdo individ, respekti për protokollet e çdo biznesi dhe distancimi social në kushtet e këtij normaliteti”.

“Shumë prej jush thanë se kjo është lojë politike, konspiracion ndërkombëtar, thanë se këtë e bëja unë se jam diktator, autokrat, se kisha frikë nga protesta e ku di unë për sa të tjera. Por nuk i vë faj asnjërit prej jush që u mërzit e u nervozua nga ajo mbyllje e madhe; kujtdo që donte të shkonte në punë, të kthehej në normalitet, e as atyre prej jush që gjithnjë e më shumë me kalimin e javëve kujtuan gabimisht se rezultati fantastik që arritëm në fazën e parë nuk lidhej as me masat që morëm dhe as me sakrificën që gjithë shqiptarët bënë. Nuk u vë faj as atyre që në politikën e tyre ‘hip se të vrava, zbrit se të vrava’ dhanë mesazhe dhe shembuj skandalozë me fjalët dhe tubimet rrugëve”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “kur vendosëm javë pas jave të heqim masat dhe ta lirojmë përfundimisht lëvizjen, punën, ndërveprimin ishim të qartë se hapja do të sillte me vete rrezikun e harresës”.

Por, vijoi ai, “bëmë gjënë e duhur dhe, do ta ribënim përsëri sikur të ktheheshin aty ku ishim. E bëmë në kohën e duhur, duke bërë edhe protokollet e duhura për të gjithë”.

Kryeministri tha se “isha dhe jam dakord me shumëkënd që kërkonte gjithnjë e më shumë, ditë pas dite, javë pas jave, kthimin në normalitet, duke thënë përditë e më shumë se shëndeti i ekonomisë familjare nuk mund të dobësohej përtej një pike të caktuar”.

“Kemi zgjedhur me vetëdije rrugën e këshillimit dhe mirëkuptimit, jo të ndëshkimit dhe as të mbylljes së bizneseve që nuk respektojnë një për një protokollet e sigurisë. Kemi dashur të jemi mirëkuptues dhe t’ia lehtësojmë hallin. E kemi ditur dhe e kemi thënë se numrat do të rriteshin, pasoja më e natyrshme pas hapjes në të gjitha vendet, ku më shumë e ku më pak”, tha Rama.

Duke iu drejtuar qytetarëve, Rama tha se “kemi kërkuar vijimësisht të mirëkuptoni nevojën për një solidaritet të ri në respektimin e rregullave”.

“Me policë e ushtarë kontrollon mbylljen, por nuk mund të disiplinosh hapjen, nëse qytetarët nuk bëjnë detyrën e tyre të thjeshtë. Unë nuk kam ndryshuar mendim: ekonomia bie dhe ngrihet, të vdekurit nuk ringjallen. Për bukën e gojës në Shqipëri nuk ka vdekur askush, por është po kaq e vërtetë edhe tjetra, një mbyllje tjetër do të ishte dërrmuese për Shqipërinë, çdo familje dhe për burimet e energjisë së rimëkëmbjes”, tha Rama.

Por, Kryeministri theksoi se “nëse do të vazhdojmë kështu fatkeqësisht do të na duhet të rimbyllemi dhe do të na duhet të përballojmë me shumëfish sëkëlldinë që provuam dhe pasojat e plagëve që morëm nga mbyllja e parë”.

“Nuk dua ta zgjas me atë që do heqim po u rimbyllëm. Kam bindjen se ne jemi në kohë, e kemi vetë në dorë ta kontrollojmë rikthimin e armikut të padukshëm që nuk ka ikur asnjë ditë dhe është aty kudo”, tha Rama. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com