Loading...

Rritja e numrit të të prekurve me COVID-19/ Rakacolli: Qytetarët kanë ulur vigjilencën, nuk po zbatohen protokollet e sigurisë

Kryetarja e Komitetit të Ekspertëve, njëherazi zv.ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli komentoi situatën aktuale të pandemisë si dhe shifrat e larta të të infektuarve ditët e fundit për të cilat theksoi se ishin të pritshme që në momentin që u vendos për hapjen e vendit.

Në një nga mediet e vendit, Rakacolli u shpreh se shifrat përkthehen në më shumë kontakte për shkak të fazës së rihapjes. “Çdo program hapje shoqërohet me rritje, kudo është ky fenomen, ne e prisnim , kemi menduar dhe një maksimum numrash në rast hapjesh dhe se deri ku mund të përballohen. Dhe këto që kemi aktualisht janë të përballueshme. Momenti që u bë hapja ishte tërësisht e arsyeshme kjo gjë”, tha ajo.

Rakacolli ndër të tjera u shpreh se qytetarët e kanë ulur vigjilencën dhe po sillen sikur ka përfunduar pandemia.

“Vërtet u tha se do hapen të gjitha, bizneset etj me radhë, por të gjitha këto duhet të zbatojnë protokollet e sigurisë, me maska, distancim etj me radhë dhe të gjitha këto nuk janë zbatuar fatkeqësisht , sepse po vëmë re se qytetarët po sillen sikur të kishte mbaruar pandemia”.

E pyetur mbi imunizimin e popullatës, Rakacolli u shpreh se “do duhet që 60-70 përqind e popullsisë ta ketë kaluar minimalisht sëmundjen që të flasim për diçka të tillë. Por duhet të mbrohemi derisa të dalë vaksina”.

Lidhur me rastin e një edukatoreje në çerdhen 16 në Tiranë e cila rezultoi pozitive me COVID-19, zv.ministrja u shpreh se stafi dhe fëmijët nuk kanë patur shenja por sot do të shihen rezultatet dhe do të merret vendim më tej. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com