Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 11 qytetarë mes të cilëve 2 personel shëndetësor, duke e çuar numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë në 1055.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në komunikimin e përditshëm lidhur me situatën e krijuar prej COVID-19, ka raportuar se aktualisht në spitalin Infektiv po marrin shërbim 50 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive dhe një i intubuar. Mosha mesatare e rasteve të hospitalizuara është 60 vjeç, mbi 60 % e tyre janë nga Tirana.
Në vendin tonë janë aktualisht 499 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë. Ministria e Shëndetësisë ka rikujtuar thirrje ndaj bizneseve dhe qytetarëve për kujdes dhe respektim të protokollit të sigurisë.
“Nisur nga fakti se ditët e fundit po zbulohen raste pozitive në disa ndërmarrje dhe subjekte tregtare, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë: të dezinfektojnë ambientet, të kryejnë ajrosjen rregullisht, të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët, siç e përcaktojnë protokollet e autoriteteve shëndetësore.Çdo shkelje do të konsiderohet me rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe si e tillë do të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon për vetëndërgjegjësim nga qytetarët që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të vendosura: Kur dilni, qëndroni në distancë fizike prej të paktën 1.5 metër, lani duart, përdorni maska ose barriera mbrojtëse kur nuk mund te ruhet distanca fizike, dezinfektoni objektet dhe ajrosni ambientet ku qëndroni. Lidhuni me mjekun tuaj të familjes nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 për barnat me rimbursim apo pyetje në lidhje me COVID-19. Nëse keni shenja të sëmundjes, qëndroni të izoluar dhe telefononi Urgjencën Kombëtare, 127”, apelon ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale./atsh