Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, e vijoi edhe sot turin e komunikimeve të drejtpërdrejta me biznesin për të qenë pranë tyre me mbështetjen financiare të Qeverisë për punonjësit, me zbatimin e Garancive Bankare dhe për të dëgjuar nevojat për të ardhmen.
Kryeministri Edi Rama publikoi pamje nga vizitat e ministres Denaj me biznesin, ndërsa bëri të ditur se jemi gati të vëmë në lëvizje planin kombëtar “Shqipëria 2030”, për rimëkëmbjen dhe zhvillimin e ri ekonomik e social të Shqipërisë.
Ministrja Denaj i njohu përfaqësuesit e biznesit me mundësitë për të përfituar nga garancitë sovrane të akorduara nga qeveria në ndihmë të biznesit për pagat, por edhe për investimet, si dhe me urdhërin e firmosur nga Kryeministri dhe Banka e Shqipërisë për shtyrjen edhe me tre muaj të tjerë të pagesës së kësteve të kredive
Një nga përfaqësuesit e biznesit i komunikoi ministres Denaj se Banka i kishte kërkuar të niste pagesën e këstit të kredisë për muajin qershor.
Denaj e informoi atë se Kryeministri dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë kanë firmosur për ndërprerjen edhe për një tremujor tjetër pagesën e kësteve të kredive.
“Përpiquni të negocioni me bankat për tre muaj të tjerë. Përfitoni, sepse kjo marrëveshje është realizuar dhe këmbëngulni. Sigurisht ai është detyrim dhe si i tillë duhet paguar. Por ngrirja e kësteve të kredive, pagesa e pagave dhe garancia sovrane për paga dhe investime ju ndihmojnë“, u shpreh ministrja Denaj.
Sipas Denaj, e gjithë përpjekja për tu ringritur do të kërkojë pak kohë, e durim. Sikurse e kapërcyem mbylljen, vijoi ministrja, duhet të jemi të kujdesshëm edhe gjatë kësaj periudhe kohe për të ruajtur veten me maska e doreza, sepse asnjë nga ne nuk do të dëshironte të mbyllej.
“Paralelisht duke respektuar masat të kthejmë mbrapa edhe klientelën”, tha ajo.
Ministrja u ndal edhe në një tjetër biznes i cili kishte përfituar bonusin prej 40 mijë lekësh për punonjësit e tij.
“Kemi vënë re nga disa vizita që jo të gjitha bizneset e dinë që qeveria shqiptare ka mundësuar një garanci për kredi që bankat e nivelit të dytë mund të ju a japin me risk më të ulët sepse kanë garancinë“, tha Denaj.
Nëse ju e shikoni se vështirësia operacionale nuk përballohet em nivelin e xhiros, tha Denaj, shkoni në bankë adresoni nevojën për garancinë e dytë e cila është një garanci e mundësuar që prej muajit maj
“Është një garanci ku bankat vënë 40 % të riskut dhe qeveria vendos 60% të riskut. Për 6 muaj biznesi nuk paguan interes dhe kjo mundëson që për këtë periudhë ti nuk ke presionin e shlyerjes. Do të thosha që janë mundësi që duhet ti shfrytëzojmë“, deklaroi ministrja./atsh