Turizmi, në vizionin e qeverisë, shihet si sektori që do të garantojë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, duke siguruar punësim, nxitje të ndërmarrjeve të vogla e të mëdha, më shumë të ardhura e më shumë mirëqenie për qytetarët shqiptarë.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi publikoi sot pamje nga një prej investimeve në hoteleri, i cili ofron një kapacitet prej 300 personash.
“Maks Royal G”, me kapacitet për 300 persona, dy pishina të jashtme dhe një të brendshme në Durrës. Investimet në hoteleri, një energji e re që i shtohet industrisë turistike”, u shpreh Klosi.
Për të stimuluar investimet në këtë sektor, qeveria ka hartuar edhe një kuadër ligjor e fiskal favorizues.
Ligji “Për Turizmin” ofron stimuj shumë konkurrues për investitorët e huaj.
Ligji ofron një varg ndryshimesh për sektorin e turizmit në Shqipëri, duke synuar ta shndërrojë atë në një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë në vitet e ardhshme.
Shqipëria ofron kosto konkurruese të punës, pasi paga mesatare në Shqipëri është një nga më konkurrueset në rajon.
Po ashtu ofron lehtësi administrative, pasi regjistrimi i një biznesi të ri mund të përfundojë brenda 24 orëve me një kosto minimale prej 100 lekë (<1 €) përmes modelit “One Stop Shop”.
Krahas kësaj, ofron taksa konkuruese. TVSH për strukturat akomoduese në turizëm është 6%.
Shqipëria po ashtu ka një popullsi të re dhe arsimuar. 57% e popullsisë së Shqipërisë është nën moshën 35 vjeçare.
Për investitorët, Shqipëria është një treg atraktiv në rritje, me strukturë të qëndrueshme ekonomike, politike dhe juridike, si dhe me kuadër ekonomik të liberalizuar dhe kushte të përshtatshme për të bërë biznes.
Mbi 6.4 milionë shtetas të huaj kanë hyrë në vendin në vitin 2019 duke pësuar një rritje të ndjeshme me 8.1% krahasuar me vitin 2018. Hyrjet e shtetasve të huaj më së shumti kanë pasur qëllim turizmin./atsh