Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi informoi sot gjatë një takimi të zhvilluar me hotelierët e Sarandës se banorëve të qytetit bregdetar po iu rikthehet plazhi kryesor i qytetit.
Klosi tha se në këtë plazh publik, bashkia do të marrë përsipër sigurimin e higjienës dhe ruajtjen e jetës së qytetarëve.
“Po zbatojmë një nga premtimet e tij elektorale për të rikthyer plazhin kryesor të qytetit qytetarëve dhe plazhi kryesor i Sarandës këtë vit do të jetë pa pagesë për qytetarët e Sarandës dhe për pushuesit në këtë zonë, dhe bashkia do të marrë përsipër higjienën për plazhin, por edhe ruajtjen e jetës së njerëzve. Pra, një premtim i mbajtur dhe një plazh i afruar 100% qytetarëve të thjeshtë e të zakonshëm të këtij qyteti fantastik”, tha Klosi.
Nga ana e tij, kryetari i bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma u shpreh se “është kjo hapësirë të cilën do t’ia dedikojmë qytetarëve. Është një premtim që ua kemi dhënë edhe gjatë fushatës elektorale, edhe në daljet e mia. Kështu që, nga sot e tutje, ky plazh do të jetë vetëm për qytetarët pa vendosje shezlongësh, kushdo mund të vijë dhe të akomodojë e të pushojë në këtë plazh. Është një vijë lineare rreth 500-600 metra, por nuk është vetëm, por edhe një pjesë tjetër që është në pjesën tradicionale të plazhit të ashtuquajtur ‘Pllakat’ që është monument natyre”.
Gjithashtu ministri Klosi gjatë këtij takimi shpjegoi dhe rregullat e sezonit turistik 2020 në kushtet e reja të pandemisë. Mënyrën si aplikohet te e-Albania për stacione të private plazhi dhe hartën dixhitale në funksion të një menaxhimi më të mirë të vijës bregdetar./atsh