Kush e ka vizituar Përmetin dhe nuk ka ndaluar në baxhon e Altinit, përmetarit të njohur për djathërat dhe gjalpin me shije, i cili ka shndërruar një bunker buzë rruge, në një pikë tërheqëse shitjeje, ku turistët ndalin e shijojnë prodhimet e baxhos së tij, duhet të rikthehet me se s’bën në Përmet.
Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga ky investim, ku me mbështetjen e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) Altini ka instaluar në baxho një linjë të re të prodhimit të qumështit dhe pajisje të teknologjisë bashkëkohore për prodhimin e djathit, që i kanë lehtësuar procesin e prodhimit dhe që rrisin standardin e sigurisë së cilësisë ushqimore.
Gjatë një vizite në baxhon e Altinit, drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca u shpreh se, kjo është një tjetër sipërmarrje e mbështetur nga qeveria në Përmet, në “Baxho Meshini”.
“Ky investim që kemi mbështetur baxhon e Altinit, është përmes një nga programeve të AZHBR-së për prodhimin dhe përpunimin e qumështit, por që tashmë është bërë edhe një pikë ndalese për turistët, që ofron shërbime kundrejt një pagese simbolike”, – tha Krifca.
Ndërsa Altini tregon se është pjesë e rrjetit të shoqatës së artizanëve dhe prodhuesve tradicionalë të zonës, nisur kjo nga fakti Përmeti ka marrë goxha zhvillim me fokus turizmin, ku vetëm gjatë 3-4 viteve të fundit, numri i vizitorëve është rritur ndjeshëm dhe sezoni turistik është zgjatur në kohë.
Duke u ndalur në investimin që ka transformuar baxhon e tij në minifabrikë moderne, Altini thotë se, prodhimi i sivjetëm arriti deri në 3 tonë qumësht të përpunuar. Janë rreth 60 blegtorë të zonës që sjellin qumështin në baxhon e Altinit, duke siguruar kështu shitje të sigurt të qumështit nga fermat e tyre.
Mbështetja e AZHBR-së e ka ndihmuar Altinin në teknologjitë e përparuar për përpunim e qumështit, por fokus ka marrë edhe sektori i turizmit, që siç thotë Altini janë dy zëra të bashkuar bashkë në zhvillimin e agroturizmit në zonës e Përmetit dhe kjo ka rritur të ardhurat në baxhon e tij.
Në krah të baxhos ai ka ngritur edhe dyqanin për tregtimin e prodhimeve tradicionale dhe sendeve me vlerë autoktone. “Kjo është një ndërtesë që daton në vitin 1939 që në kohën e luftës italo-greke e ngritur në kohën e Turqisë, të cilën e kam kthyer në dyqan që është atraksion dhe vlerë e shtuar në biznesin tim”, – thotë ai.
Altini prodhon djathë kaçkavall, djathë dhie që është shumë i kërkuar dhe në baxhon e tij janë të angazhuar me punë të gjithë pjesëtarët e familjes së tij.
Përmes fotove ai tregon ndryshim drastik që ka pësuar baxho e tij në kohë para financimit dhe sot me investimin e realizuar me mbështetjen e AZHBR-së në një baxho bashkëkohore për të cilën Altini ka projekte të tjera zhvillimi dhe shpreh dëshirën të aplikojë sërish tek AZHBR. /atsh