Loading...

Rritja e rasteve të reja me COVID-19, Brataj: Moment që pritej, qytetarët të respektojnë distancimin social

kënder Brataj, drejtori i Urgjencës Kombëtare u shpreh sot në një intervistë se qytetarët po gabojnë në sjelljen e tyre, çka sipas tij po çon në rritjen e numrit të rasteve të reja me COVID-19.

Edhe pse sipas tij, situata e krijuar pas lirimit të masave është ajo që pritej edhe më herët, qytetarët kanë nisur të relaksohen më shumë se duhet ndërsa po harrojnë që virusi është ende prezent. Brataj argumentoi se moshat e rritura dhe ato me patologji sëmundjesh të tjera, duhet të zgjedhin të izolohen për të mos rrezikuar prekjen nga virusi.

“Situata është ajo që prisnim. Ne e dinim që me lirimin e masave do të rritej numri i të infektuarve por ndofta u relaksuam aq shumë sa nuk duhet. Kjo do të çojë në rritjen e numrit të të infektuarve. Këto janë ato që kemi thënë që pas 2 javësh, 3 javësh nga lirimi masave do të dukej realiteti i vërtetë, kështu që nuk është çudi për ne rritja e numrit të të infektuarve”, u shpreh Brataj.

“Por ajo që duam të tërheqim përsëri vëmendje është që qytetarët ndoshta mendojnë se mbaroi COVID, mbaroi infeksioni dhe tani hajt të dalim në jetën normale. Nuk është ashtu. Ne do të bashkëjetojmë me virusin për disa kohë. E kemi thënë disa herë që është një virus i ri që nuk e njohim 100%, që ka një sjellje atipike në lidhje me sjelljen e viruseve në përgjithësi. Gjithsecili ka karakteristikat e veta edhe ky ka karakteristikat e veta dhe ka shumë studime dhe është një kohë shumë e shkurtër si mund të thuash që këto studime bien ndesh me njëra-tjetrën sa i përket shumë gjërave”, u shpreh ai.

“Ajo që po shohim realisht është fakti që përveç numrit të të infektuarve, të numrit të pacientëve që po rriten, është si mund të thuash simptomologjia më e lehtë e fazës së parë, apo agresivitetit të marsit dhe të prillit. Kalohet disi më lehtë por si çdo sëmundje tjetër ka një numër të kufizuar, që të mos çosh në kolaps një sistem. Numri i të sëmurëve sado lehtë të jenë, detyrimisht do të ketë nevojë për terapi intensive sepse nuk është thjesht një sëmundje por fakti që kur kap njerëz që kanë patologji të tjera, ekuilibri i tyre është shumë delikat, mjafton edhe një grip jo më SARS-COV2 që të përkeqësojë gjendjen dhe të kërkojë nevojën e këtyre reparteve intensive”, u shpreh Brataj.

“Kështu që, veçanërisht moshat e mëdha dhe pacientët me patologji, duhet të kenë më shumë kujdes se të tjerët në këtë moment. Besoj dhe mendoj se ata duhet të izolohen edhe vetë. Në të gjithë botën, fashat më në rrezik janë ato patologjitë e tjera dhe moshat e rritura. Kështu që, sado më e lehtë të jetë simptomologjia, ku ka sëmundshmëri mjafton një shtytje e vogël, një sëmundje tjetër që të përkeqësojë gjendjen”, tha Brataj.

Ai mohoi të gjitha hipotezat që virusi është një gënjeshtër. “E para, ka shumë gjithologë në rrjetet sociale që thonë se virusi është gënjeshtër, se ekonomia vjen para shëndetit etj. Gjithashtu, tubimet nuk duhet të ndodhin, pavarësisht se e kuptoj pakënaqësinë në rastin e të miturës. Bota i ka besuar qytetarit, duke i thënë që do të zbatosh disa rregulla të caktuara. Edhe në Shqipëri duhet të ndërgjegjësohet qytetari. Duhet të ruhesh, jo të marrësh në telefon për të pyetur se ku bëhet tamponi. Tamponi nuk do të thotë asgjë. Gjithashtu, përdorimi i maskës në ambiente të mbyllura është i detyrueshëm. Shoh nëpër institucione që futen njerëzit me maska në duar. Maska nuk duhet mbajtur në dorë. Përsa i përket dorezave, ato nuk mbahen në dorë gjithë ditën. Mbaron një porosi me ato doreza, duhet të vendosësh të tjerat. Ose duhet të përdorësh dezinfektantin nëse nuk ke doreza”, tha Brataj.

I pyetur mbi një riizolim të mundshëm, ai sqaroi se nuk flitet për këtë situatë. “Nuk flitet për rimbyllje. U shkelën rregullat e distancimit nga qytetarët dhe ky është rezultati. Ne jemi të përgatitur që nëse spitali Covid 1 do të mbushet, do të hapet Covid 2 sipas planifikimit. Njerëzit duhet të respektojnë rregullat, duhet të mësohen të bashkëjetojnë me këtë virus. Nëse nuk respektojmë virusin, nuk na respekton as ai ne”.

Brataj tha ndër të tjera se pushimet do të bëhen normalisht, por pa përqafime e puthje. “T’i lëmë përqafimet dhe puthjet, por jetën normale do ta vazhdojmë. Grumbullimi i njerëzve është pika kryesore e shpërndarjes së infeksionit”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com