Banka e Shqipërisë e ka përkujtuar përmes dy monedhave numizmatike, emetuar në vitin 2013, themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në 10 Qershor 1878.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, duke i paraprirë pavarësimit të trojeve shqiptare nga Perandoria Osmane.
Tematika e kësaj ngjarje historike, është pasqyruar në monedhën metalike, prerja 50 Lekë, me tematikë “135-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, pa kurs ligjor.
Ana e përparme: Në qendër të monedhës është shtëpia muze ku është mbajtur Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e gërshetuar me vlerën emërore të stilizuar “50 Lekë”. Në të majtë dhe në të djathtë të monedhës ka dy pllakëza, të cilat e ndajnë atë në mënyrë simetrike. Mbi to janë shkruar në altoreliev vitet “1878” dhe “2013”.
Në të gjithë harkun e monedhës ka të shkruar “135-VJETORI I LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT”.
Ana e prapme: Në qendër ka shqiponjën e Kastriotëve në konfigurim identik me atë të kohës. Poshtë saj është vendosur një shqiponjë e stilizuar në stil modern. Në harkun e dytë sipër ka të shkruar “SHQIPËRI-ALBANIA“, poshtë ka të shkruar vitin e prodhimit të monedhës “2013”.
Monedhat janë prodhuar nga kompania “Sunshine Minting Inc.”, SHBA./atsh