Opozita parlamentare do të vijojë betejën e saj për ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke e kthyer atë me lista të hapura.
Në fund të takimit me Kryeministrin Edi Rama, të zhvilluar pasditen e së mërkurës, bashkëkryetarja e komisionit për Reformën Zgjedhore, Rudina Hajdari dhe kreu i grupit demokrat në parlament, Myslim Murrizi u shprehën se do ta vijojnë betejën për listat e hapura.
Bashkëkryetarja e komisionit për Reformën Zgjedhore, Rudina Hajdari është shprehur se do t’i qëndrojë besnike zotimit të saj për listat e hapura, pra ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Gjatë fjalës së saj në përfundim të takimit mes Kryeministrit Edi Rama dhe opozitës parlamentare, Hajdari u shpreh se nuk ka patur konsensus për ndryshimin e sistemit, por se do ta vijojë këtë betejë.
“Nuk ka patur konsensus për ndryshimin e sistemit. Ne duam listat e hapura, nuk ka shqiptar që nuk e do ndryshimin e sistemit zgjedhor. Nuk besoj se ka shqiptar që do shkojë në ato votime dhe të japë votën për siglat e partisë”, – tha Hajdari.
“Dhe Rama e di këtë gjë, e di dhe marrëdhënien e ngushtë dhe të vjetër që Rama ka me Lulzim Bashën. Marrëveshja ishte një gjë tjetër. Riktheu PD në sistem dhe shumë mirë ka bërë, isha dakord me këtë pjesë, pasi PD e LSI duhet të rikthehen në sistem e të mos bojkotojnë zgjedhjet, pasi jemi drejt rrugës për në BE. Për 30 vite kemi bërë këtë gjë, kemi bojkotuar. Ne duam që mos të vijë më një Edi Ramë tjetër, ne duam që shqiptarët ta kuptojnë, që zgjedhjet e ardhshme duhet të shkojnë deri në fund për këtë betejë. Ka ardhur koha ta çojmë deri në fund këtë zotim tonin. Nuk mund t’i mbyllet dera opozitës parlamentare dhe zotohem që do luftoj deri në fund për këtë gjë”, – tha Hajdari.
Kreu i grupit demokrat në parlament, Myslim Murrizi në përfundim të mbledhjes me Kryeministrin Edi Rama tha se opozita e re nuk do të tërhiqet nga kërkesat e saj.
“Nuk zgjati aq shumë takimi, pasi ne nuk jemi deputetë apo pjesë në tavolinë që mund të gënjehemi, ta harrojë Rama që mund të kalohet një sistem zgjedhor me vota të trafikuara, nuk tërhiqemi nga kërkesat tona dhe do t’i institucionalizojmë”, – tha Murrizi.
“Trafikimi është bërë edhe aset i partive të tjera të Këshillit Politik që kanë interes që kjo Reformë të kalojë. Kanë gatuar gjellë qensh prej 30 vjetësh. Ne në Komision do vendosim kushte dhe sanksione në interes të shqiptarëve. Nuk ka fazë të dytë dhe as fazë të tretë”, – shtoi Murrizi.
“Javën tjetër që do të mblidhet komisioni ne do të kemi propozime konkrete për ndryshimin e sistemit. Keni merakun që luajmë për veten tonë, pyesni Ramën, Lulin dhe Monën. Ne nuk hamë me lugë të papastruar nga cilado gjellë”, – tha Murrizi.atsh