Drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame deklaroi sot se qytetarët në jug do pajisen për herë të parë me tapi të rregullta pronësie, proces ky i cili do t’i japë fund konfliktit për pronat.
Gjatë një interviste në media, Lame u shpreh se brenda pak muajsh do të përfundojnë matjet në terren dhe do të jetë gati edhe harta.
“Procesi në jug është pajisja për herë të parë me tapi të rregullta pronësie për pronat e tyre. Jemi në fazën që po mbledhim informacione nga qytetarët. Askush nuk duhet të dorëzojë dokumente origjinale, por fotokopje. Kemi hapur tri zyra në jug ku të kërkohen të dërgohen fotokopjet dhe jo origjinalet e dokumenteve. Kur të mbarojnë edhe matjet në terren, pas disa muajsh do të kemi një hartë në jug dhe të gjitha këto do të bëhen publike”, sqaroi Lame.
Lame bëri të ditur se “ajo që po bëjmë në jug është regjistrim fillestar, pasi nuk është bërë asnjëherë. Pra, pasi janë harxhuar rreth 120 milionë dollarë për të bërë regjistrimin”.
Sipas tij, mos regjistrimi i banesave është një problem shumë i madh në Shqipëri.
“Regjistrimi fillestar në Shqipëri është bërë me tendera, ne po i bëjmë me forcat tona. Duke qenë se bëheshin me tendera, paratë kalonin dorë më dorë dhe mbeteshin vetëm 40-30% e parave. Rregullimi i hartës bëhet me zona. Janë mbi 2 mijë zona të Kadastrave ku rreth 80 % e tyre duhen ribërë. Kjo merr me vite të tëra”, tha Lame./atsh