Loading...

Basha, takim me sipërmarrësit e vegjël: Së bashku me qytetarët do të sjellim ndryshimin

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar sot takime me sipërmarrësit e vegjël në Njësinë Administrative Nr. 11 në Tiranë.

Basha shprehet se gjatë takimeve ka ndarë me ta shqetësimet për krizën e thellë ekonomike që ka prekur shqiptarët, e në veçanti biznesin e vogël, që po mbyll dyert çdo ditë.

“Rritja e çmimeve, rënia e fuqisë blerëse, pagesat e larta dhe afrofe të dritave dhe të ujit, papunësia në rritje, mungesa e mbështetjes nga qeveria po e çojnë biznesin e vogël në këtë zonë drejt falimentit. Rreth 60 biznese ulin qepenat çdo ditë dhe familjeve të tyre u shterojnë mundësitë për të mbijetuar”, tha ai.

Në vijim, Basha tha se “kjo krizë e thellë ka vetëm një zgjidhje: Kthimin e vëmendjes tek qytetarët, duke u dhënë atyre një qeverisje normale. Askush nuk pret më asgjë të mirë nga kjo qeveri që ka dëshmuar në 7 vite se prioriteti i saj nuk janë qytetarët dhe biznesi i ndershëm, por një grusht njerëzish që grabisin çdo të mirë të këtij vendi”.

“Së bashku me qytetarët do të sjellim ndryshimin në këtë vend e do të ndërtojmë një qeverisje normale, që të garantojë ringritjen ekonomike, vende pune e një jetë më të mirë për çdo shqiptar”, theksoi ai. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com