Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se situata e COVID-19 është përkeqësuar dhe brenda 24 orëve të fundit janë identifikuar 36 raste të reja.
Shefja e departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP Silva Bino theksoi sot se “kjo situatë nuk ishte kaq e papritshme për shkak të grumbullimeve masive që kanë ndodhur ditët e fundit. Jo vetëm grumbullimet, por edhe mosrespektimi i këshillave, në lidhje me distancimin fizik, në lidhje me mbajtjen e maskave, në lidhje me shumë elementë të tjerë të kujdesit personal qoftë edhe të higjienës”.
“Të gjithë qytetarët, të gjithë ne duhet të jemi të përgjegjshëm që Covid19 nuk ka ikur nga vendi ynë. Deri më tani, deri në fillimin e hapjes së masave kishim një numër njëshifror, e cila erdhi si rezultat i masave drastike, i sakrificës së gjithsecilit. Por kjo nuk do të thotë që me hapjen e masave ne të shpërdorojmë çdo këshillë dhe të shpërdorojmë atë që ne vetë sakrifikuam”, u shpreh Bino.
Në 24 orët e fundit janë testuar 359 persona të cilët janë dyshuar për Covid19 dhe prej të cilëve kanë rezultuar 27 raste në Tiranë, 4 raste në Shkodër, 2 raste në Kamëz, 1 rast në Durrës, 1 në Lushnjë dhe 1 në Lezhë.
Duke sjellë këto të dhëna, Bino theksoi edhe njëherë se “të gjitha këto raste janë shfaqje e mosrespektimit të shumë rregullave të distancimit fizik apo të përgjegjshmërisë personale apo kolektive në lidhje me punëdhënësit apo punëmarrësit”.
Një pjesë e mirë e tyre janë kontakte të rasteve pozitive që tregon që gjurmimi në terren po kryhet në mënyrë të fuqishme, i cili do të vazhdojë dhe do të përforcohet në javët në vijim.
COVID-19 – Statistika (9 Qershor 2020)
Testime totale 18960
Testime molekulare 16716
Testime serologjike 2244
Raste pozitive 1299
Raste të shëruara 960
Raste Aktive 305
Humbje jete 34 (Qarku Tiranë 21, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 204
Shkodër 29
Krujë 24
Kamëz 19
Durrës 10
Mat 9
Lushnje 4
Tropojë 2
Korçë 1
Librazhd 1
Mallakastër 1
Lezhë 1/atsh