Është një gjë e mirë që tema ekonomike ka hyrë në debatin politik të të gjithëve dhe kërkoj vetëm një gjë, t’i themi ”po” dialogut dhe ”jo” polemikës për hapjen e kufijve, deklaroi sot ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio.
“Falënderoj homologun tim slloven për optimizmin e tij për rihapjen e kufijve që fillon nga 15 qershori. Është shumë e rëndësishme për shumë nga bashkatdhetarët tanë dhe gjithashtu për rifillimin e turizmit, një sektor vendimtar për të dy vendet”, tha Di Maio gjatë një konference për shtyp në Lubjanë, së bashku me homologun e tij slloven, Anzhe Logar.
“Ne po hyjmë në kulmin e sezonit të verës dhe për t’u dhënë punë dhe oksigjen sipërmarrësve tanë, artizanëve, hotelierëve, restauratorëve dhe dyqaneve ne duhet të lejojmë që turistët e huaj të vijnë në Itali. Pra, shmangni bllokimet dhe diskriminimin”, shkroi gjithashtu në FB Di Maio.
“Gjatë kësaj emergjence, me Slloveninë kemi mbajtur kontakte të ngushta dhe kemi ndjekur bashkëpunim besnik”, shton ai.
Ministri i Jashtëm slloven, Anzhe Logar, duke konfirmuar hapjen e kufirit më 15 qershor, tha se Italia është një fqinj shumë i rëndësishëm, si politik ashtu edhe ekonomik.
“Ne do të vlerësojmë situatën epidemiologjike dhe të dhënat nga dita në ditë”, tha ai në konferencën për shtyp.
“Është një gjë e mirë që tema ekonomike ka hyrë në debatin politik të të gjithëve. Unë kërkoj vetëm një gjë: po për dialog, jo për polemikë. Ky nuk është koha. Ne punojmë dhe mbetemi të përqendruar. Ne japim zgjidhje dhe përgjigje konkrete për italianët”, theksoi Di Maio./atsh