Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se kemi hedhur një hap përpara, për të mundësuar më shumë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri.
“Sot kemi hedhur një hap përpara, për të mundësuar më shumë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar është e gatshme dhe po punon përditë për t’ua kthyer qeverisjen shqiptarëve”, deklaroi Basha pas arritjes së marrëveshjes për Reformën Zgjedhore.
Në emër të Opozitës së Bashkuar, Basha falënderoi aleatët dhe partnerët euroatlantikë për ndihmën dhe kontributin e tyre për gjetjen e dakordësisë për administrimin zgjedhor.
Bylykbashi: Identifikim biometrik për zgjedhjet e ardhshme
Pas takimit të sotëm, përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi deklaroi se u arrit dakordësi sa i përket administratës zgjedhore.
“U arrit dakordesi për administrimin zgjedhor. Do të ketë identifikim biometrik për zgjedhjet e ardhshme”, tha ai.
“Depolitizimi i administratës zgjedhore do të kryhet vetëm pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe lokale”, tha ai.
Ndërsa përfaqësuesi i LSI, Petrit Vasili tha se, “për këto zgjedhje që vijnë dhe zgjedhjet e ardhshme lokale komsionet zgjedhore do mbetet ashtu siç janë. Depolitizimi i administratës zgjedhore do të bëhet vetëm më pas”.
Kryemadhi: Reformat bëhen pikësëpari për njerëzit
Kryetarja e Partisë Lëvizja Socialsite për Integrim, Monika Kryemadhi përshëndeti arritjen e marëveshjes për Reformën Zgjedhore, ndërsa kërkoi implementimin e saj pa humbur kohë.
“Rezultati i sotëm në Këshillin Politik, i arritur dhe me kontributin e partnerëve ndërkombëtarë është pozitiv dhe duhet implementuar pa humbur kohë, me integritet, ashtu siç e kërkon dhe kushti i radhës i BE, ashtu siç e meritojnë qytetarët shqiptarë”, deklaroi ajo.
Sipas Kryemadhit, reformat bëhen pikësëpari për njerëzit, të cilët presin ndryshimin dhe mundësinë e shprehjes së vullnetit të tyre lirisht në zgjedhje.
“Pa zgjedhje të lira dhe të ndershme s’ka demokraci dhe pa demokraci s’ka ekonomi e mirëqenie për shqiptarët. LSI dhe Opozita e Bashkuar është e vendosur për realizim me sukses të angazhimeve të marra para popullit shqiptar përsa i përket forcimit e përmirësimit të themeleve të demokracisë në vendin tonë, si dhe përshpejtimit të rrugës së integrimit europian të Shqipërisë”, u shpreh Kryemadhi./atsh