Loading...

Dhuna ndaj të miturve/ Manja: Të hiqet gjykimi i shkurtuar, Gjonaj: Politikë më e ashpër penale

Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja, duke iu referuar rastit të përdhunimit të një vajze 15-vjeçare në zonën e Babrrusë, tha se do të propozojë heqjen e alternativës për gjykim të shkurtuar për autorët e veprave penale me të mitur dhe dhunën në familje, ndërsa ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka theksuar se duhet një politikë penale më e ashpër.

Diskutimet u zhvilluan sot, gjatë seancës dëgjimore të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në komisionin e Sigurisë, ku raportoi për zbatimin e rekomandimeve të qeverisë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme gjatë vitit 2019.

Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Ulsi Manja, duke përfituar nga prania e ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj, duke iu referuar rastit të 15-vjeçare në Babrru, u shpreh se “autorët kanë përfituar nga dispozita ligjore e dënimit alternativ apo të shkurtuar”.

Ulsi Manja u kërkoi organeve të drejtësisë të mos mbyllin sytë, por të rrisin profesionalizimin, cilësinë dhe shpejtësinë e hetimeve. “Është koha të bashkojmë forcat zonja ministre, të nxisim drejtësinë e re, t’i japim suportin e duhur dhe të bëhemi barrikadëe për zbatimin e ligjit penal në Shqipëri pa asnjë ekuivok dhe asnjë tolerancë. Parandalimi është ilaçi më i mirë, por në funksion të tij shkojnë edhe vendimet e drejtpërdrejtë ta gjykatave. Do t’i propozoja Kuvendit ndryshime në Kodin e Procedurës Penale neni 406. Përsa kohë organi prokurorisë dhe gjykata i japin mundësi kësaj kategorie personash të përfitojnë nga dispozita për dënime alternative me gjykimin e shkurtuar, duhet t’ia heqim këtë mundësi dhe ta kufizojmë me ligj”, – theksoi Manja.

“Koha që prokuroria dhe gjykatat të marrin në konsideratë rrezikshmërinë dhe përhapjen e këtyre veprave penale dhe të dënojnë autorët sipas dispozitave të ligjit”, – tha Manja.

Ministrja Etilda Gjonaj theksoi se duhet një politikë penale më e ashpër lidhur me krimet ndaj të miturve. “Gjykata në nivel krahasimor ka aplikuar në shumë pak raste, dënimin maksimal, në të shumtën e rasteve dënimet janë 5-10 vite. Prandaj duhet një ashpërsim i dënimeve penale për vepra si abuzim seksual apo abuzimet dhe dhuna ndaj fëmijëve”, – tha Gjonaj. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com