Presidenti Ilir Meta i ka propozuar sot Kuvendit kandidaturën e Arben Shehu për t’u zgjedhur Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Presidenca thekson se “Dr. Arben Shehu plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret ligjore për t’u emëruar në këtë pozicion, si dhe është një kandidaturë me eksperiencë të gjatë në fushën e së drejtës dhe pedagogjisë. Gjatë eksperiencës mbi 16 vjeçare në jetën akademike, Dr. Arben Shehu është një ndër njohësit më të mirë të drejtësisë penale. Z.Shehu është diplomuar gjithashtu edhe në fushën e e ekonomisë dega “Administrim Biznesi”, me një eksperiencë të gjatë akademike, kërkime dhe shkrime shkencore, por edhe përvojë të spikatur në zbatimin e ligjit, si ushtrues aktiv i profesionit të avokatisë”.
“Dr. Arben Shehu, si njohës shumë i mirë i legjislacionit, me njohuritë dhe certifikimet në fushën ekonomike dhe përvojën akademike e profesionale mbi 16 vjeçare, vlerësohet kandidat i përshtatshëm për drejtimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, si një institucion që ka nevojë për një qasje të re në ushtrimin e funksioneve për kontrollin e përdorimit të pasurisë publike dhe vënien para përgjegjësisë të abuzuesve me to”, thuhet në njoftim.
“Presidenti i Republikës, pavarësisht se ka lexuar me shumë vëmendje e në mënyrë të përsëritur sugjerimet e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë lidhur me profilin profesional që duhet të ketë kandidati për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, deri më tani është vënë para pozitës së rrëzimit të propozimeve për tre kandidaturave radhazi, pavarësisht përmbushjes së kritereve ligjore dhe përvojës së gjerë profesionale të secilës prej kandidaturave”, thekson Presidenca.
“Mos plotësimi i pozicionit të Drejtuesit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, rrezikon të çojë në cenim të ekuilibrit institucional të këtij organi kushtetues me përgjegjësi jetësore për financat publike. Veçanërisht kur bëhet fjalë për institucionin kushtetues më të lartë të kontrollit ekonomik dhe financiar, secili institucion që ka atributet e tij në procesin e zgjedhjes së drejtuesit të këtij institucioni, ka përgjegjësinë që të përmbushë detyrën në respektim të Kushtetutës. Ndaj dhe Dekreti i Presidentit të Republikës dhe dokumentacioni shoqërues i kësaj kandidature iu përcoll sipas ligjit Kuvendit të Shqipërisë për miratim, me kërkesën specifike që këtë herë që kjo kandidaturë të vlerësohet nën frymën e parimit të luajalitetit kushtetues dhe jashtë interesit politik”, përfundon njoftimi i Presidencës.
Meta letër Ruçit dhe Kuvendit: Deri tani jam vënë para faktit të kryer të rrëzimit të propozimeve për tre kandidatura radhazi për në KLSH
Presidenti i Republikes Ilir Meta i ka drejtuar një letër Kryetarit te Kuvendit, Gramoz Ruçi mbi propozimin e Arben Shehu për t`u zgjedhur Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit.
“Presidenti i Republikës, pavarësisht se i ka lexuar me vëmendje e në mënyrë të përsëritur sugjerimet dhe mendimet e shprehura në mënyrë publike nga Kuvendi i Shqipërisë lidhur me profilin profesional që duhet të ketë kandidati për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, deri më tani është vënë para faktit të kryer të rrëzimit të propozimeve për tre kandidatura radhazi, pavarësisht se të tre këto kandidatura përmbushnin kriteret ligjore dhe gëzonin përvojë të gjerë profesionale”, ka theksuar Meta.
“Presidenti i Republikës u njoh gjithashtu edhe me letrën nr. 1358 prot, datë 26 maj 2020 të Kryetarit të Kuvendit, përmes së cilës i kërkohet Presidentit të propozojë kandidaturën e re për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Është për t’u evidentuar se letra e Kryetarit të Kuvendit është shoqëruar me një fushatë publiciteti në media nga Kuvendi mbi nismën ligjore që ky i fundit do të ndërmarrë për miratimin e një projektligji, përmes të cilit do të bëhet i mundur emërimi me ligj i një Zëvendëskryetari të KLSH-së, duke e justifikuar këtë si zhbllokim të situatës”, ka shtuar Meta.
“Është e qartë se e gjithë kjo veprimtari, e shoqëruar me këtë fushatë publiciteti, ka për qëllim ushtrimin e presionit politik ndaj Presidentit të Republikës me qëllim që të propozojë për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit një kandidaturë nga ato që kërkon prej kohësh mazhoranca. Ky veprim i Kuvendit tregon mungesë vullneti për bashkëpunim me Presidentin e Republikës dhe reflekton të njëjtën qasje të legjislativit të shfaqur përgjatë procesit të emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ku përmes miratimit të ligjit antikushtetues nr. 14/2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar”, u synua që t’i rrëmbehej kompetenca kushtetuese Presidentit për emërimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetues, drejtpërdrejtë me ligj me efekt prapaveprues”, ka nënvizuar Meta.
“Ky ligj u kthye për rishqyrtim nga Presidenti i Republikës dhe gjithashtu është kritikuar në të gjitha draft-opinionet që Komisioni i Venecias ka hartuar për trajtimin e kësaj çështje të kërkuar nga vetë Kuvendi i Shqipërisë më 30 dhjetor 2019. Presidenti i Republikës sjell në vëmendje se Kuvendi i Shqipërisë, si organi më i lartë që monitoron punën, veprimtarinë e organeve kushtetuese dhe ecurinë e zbatimit të ligjeve të miratuara prej tij, ka përgjegjësinë kryesore për gjendjen ku ndodhet vendi, ku Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale prej më shumë se dy vitesh, Gjykata e Lartë nuk është funksionale, si dhe e gjithë ecuria e zbatimit të reformës në sistemin e drejtësisë është në shkelje të të gjitha afateve kushtetuese”, ka vijuar Meta.
“Ndaj çdo veprimtari e mëtejshme nën këtë drejtim me paraqitje nismash legjislative, me qëllim kapjen e institucioneve të pavarura apo ushtrimin e presionit politik ndaj institucioneve të tjera, nuk bën gjë tjetër veçse provon faktin që tre kandidaturat e mëparshme të propozuara nga Presidenti i Republikës, janë rrëzuar pa të drejtë nga Kuvendi, me qëllim që të propozohet një kandidaturë që gëzon mbështetjen e mazhorancës në mënyrë që mazhoranca të kontrollojë po veten e saj?!”, ka shtuar Meta.
“Presidenti i Republikës ka detyrimin kushtetues që përgjatë veprimtarisë dhe ushtrimit të funksioneve të tij, të sigurojë që mekanizmat kushtetues të funksionojnë dhe institucionet kushtetuese të këtij niveli të vazhdojnë veprimtarinë në mënyrë të pavarur dhe në respekt të plotë me parimet kushtetuese të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, parime këto që qëndrojnë në themel të shtetit të së drejtës. Në këtë mënyrë, Presidenti i Republikës vlerëson me shumë kujdes integritetin e kandidaturës së propozuar, në mënyrë që Kontrolli i Lartë i Shtetit të funksionojë në mënyrë të pavarur e të pandikuar politikisht”, ka theksuar Meta.
“Për këtë arsye, është me rëndësi si përmbushja e kërkesave ligjore për zgjedhjen në këtë pozicion kushtetues, por dhe përzgjedhja e një kandidature që ofron garancitë e nevojshme për ushtrimin e këtij funksioni shumë të rëndësishëm në mënyrë të pavarur”, tha Meta./atsh