Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, deklaroi sot se “të gjitha strukturat hoteliere janë aktive, ndërsa përgatitjet për sezonin turistik kanë filluar gjerësisht”.
Në një intervistë televizive, Klosi theksoi se “ditët e fundit kam qenë në të gjithë zonën bregdetare. Këtë vit në plazhet shqiptare do të ketë një menaxhim krejt ndryshe të vijës bregdetare. Zona e bregdetit është një pasuri kombëtare dhe nuk mund të uzurpohet”.
Sipas tij, ajo që ka ndodhur në vite ka qenë uzurpim, ku çdo qytetar që shkonte për të bërë plazh duhet të gjendej përballë një njeriu që e shiste shezlongun dhe çadrën.
“Ajo që kërkohet këtë radhë është që të rriten më shumë hapësirat publike si dhe të garantohen të gjitha standardet si dushet, tualetet, rojet bregdetare”, – tha Klosi.
I pyetur nëse do të ketë rritje çmimi, Klosi tha se “jo nuk ka logjikë, është debat shterpë sepse nuk ka arsye të ketë rritje çmimesh, pasi edhe kërkesa do të jetë më e ulët. Për sa kohë do të kemi me pak vizitorë, më pak turistë është e pamundur që të rriten çmimet”.
“Shqipërinë e kemi 400 km vijë bregdetare, nga e cila më pak se 13% uzurpohet. Pra mbi 85 % është zonë e lirë. Ne shikojmë shumë plazhe si ai Dhërmiut që kanë hapësira të mëdha publike. Por edhe ata që do të marrin zonat e plazhit para hotelit do të kenë detyrimin që brenda kontratës që lidhin 80% do ta menaxhojnë me shezlongë, ndërsa 20 % do t’ia lënë publikut”, – nënvizoi Klosi.
“Në muajin qershor do të kemi turizëm tokësor, prandaj ftojmë shqiptarët e Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut të vijnë në Shqipëri”, – tha Klosi.
Në lidhje me çarterat që do të vijnë në vendin tonë, ministri Klosi tha se “brenda dy javëve të para do vijën çartera nga Ukraina, Bjellorusia dhe Polonia”./atsh