Loading...

Sejko: Me rëndësi masat e marra nga Qeveria shqiptare për përballimin e kësaj situate

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në takimin e 43-të të Klubit të Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit.

Në qendër të diskutimeve të takimit ishte trajtimi i situatës së krijuar nga pandemia Covid-19 dhe efektet e saj në ekonomitë e vendeve anëtare dhe atë globale. Guvernatorët e bankave qendrore u shprehën se kanë marrë në analizë situatën e krijuar nga pandemia, e cila tashmë përbën një sfidë të vërtetë për politikëbërësit.

Guvernatori Sejko në fjalën që mbajti u shpreh se, në linjë me parashikimet në nivel global, edhe në Shqipëri, si pasojë e masave të kujdesit të marra për kontrollin e përhapjes së pandemisë Covid-19, gjatë vitit 2020, aktiviteti ekonomik pritet të shënojë rënie, e cila parashikohet të jetë kalimtare dhe të rikuperohet më pas në vitet në vijim.

Gjithashtu, ai theksoi rëndësinë e masave të ndërmarra nga autoritetet publike për përballimin e kësaj situate, si paketat fiskale dhe miratimi i fondeve për garancitë sovrane të ofruara nga qeveria shqiptare për të mbështetur me kredi bankare kompanitë.

Në vijim, Guvernatori prezantoi masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për të minimizuar kostot e pandemisë Covid-19 në ekonominë e vendit, si ulja e normës bazë të interesit në nivelin historik prej 0.5%, furnizimi me të gjithë likuiditetin e nevojshëm të sistemit bankar në vend duke hequr kufijtë sasiorë, eliminimi i kostove të operimit të sistemeve të pagesave elektronike, sigurimi i pandërprerë i ekonomisë me para fizike, shtyrja me dy tremujorë e pagesave të kësteve të kredisë për bizneset dhe familjet në vështirësi financiare, si dhe ndryshimet rregullative me qëllim sigurimin e zgjidhjes së kërkesave të klientëve dhe sigurimin e shëndetit të bankave dhe sistemit në tërësi.

Në përfundim, Guvernatori u shpreh se Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të përdorë instrumentet që disponon, në bashkëpunim me gjithë autoritetet në vend, me qëllim kapërcimin e kësaj situate dhe krijimin e premisave për një rimëkëmbje sa më të shpejtë të ekonomisë.

Pjesëmarrës në këtë takim, i cili u zhvillua online, qenë drejtuesit e bankave qendrore të vendeve anëtare të Klubit si: Banka Qendrore e Republikës së Turqisë, Banka e Sllovenisë, Banka Kombëtare e Rumanisë, Banka Kombëtare e Bullgarisë, Banka Kombëtare e Çekisë, Banka e Greqisë, Banka Qendrore e Malit të Zi, Banka Kombëtare e Serbisë, Banka e Izraelit, Banka Kombëtare e Polonisë, Banka Qendrore e Republikës Popullore të Kinës, etj./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com