Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se hapja e kufijve ajrorë nuk është vetëm një vendim i yni pasi lidhet edhe me vendimet që marrin shtetet e tjera.
Gjatë një konference për shtyp, Kryeministri tha se nuk do të bëjmë as tampon as nuk e kemi detyrim vetëkarantinimin për ata që hyjnë.
“Përsa i përket kufijve ajrorë, kjo nuk lidhet thjeshtë me ne, por edhe me palët e tjera. Ne kemi hapur kufijtë tokësorë nga ana jonë, pra ne lejojmë çdo kënd të hyjë në Shqipëri nga kufijtë tokësorë, por jo të gjitha vendet që ne lidhemi përmes kufijve tokësorë i kanë hapur kufijtë apo edhe ato që do ti hapin do ti hapin njësoj si ne”, bëri të ditur Rama.
Ne, tha Rama, i hapëm kufijtë he ju e shikoni që vetëm kufiri me Malin e Zi është fluid komplet dhe kufiri me Kosovën, pas një moment të çuditshëm dje.
Lidhur me kufijtë ajrorë, Rama tha se ne mund ti hapim, por duhet patur parasysh se këto bëhen mbi bazë marrëveshjesh.
“Sepse nëse ti hap fluturimet me një vend, që vendet e tjera nuk janë hapur me të atëherë edhe ti mbyllesh me ato vende. Sot debati është brenda BE-së lidhur me Italinë dhe Spanjën, sepse konsiderohen kanal transmetimi. Shpresoj që këto do të zgjidhen, pasi është lënë një afat kohor që është 15 qershori”, u shpreh Rama.
Rama tha ne nuk do të bëjmë as tampon as nuk e kemi detyrimin për vetëkarantimin për ata që hyjnë, pasi, tha ai, është e kotë. “Ne do ti besojmë njerëzve tanë“, theksoi Kryeministri.
Edhe me Greqinë, tha Kryeministri, që kemi ndjekur në vijimësi atë që po bën dhe kemi parë metodologjinë, kemi parë se si edhe Greqia ka relaksuar planin paraprak, pikërisht sepse është e pamundur.
“Ti hapesh kur do turizëm, hap kufijtë dhe pastaj do ti mbash njerëzit dy ditë nëpër aeroporte e kufij për të bërë tampon. Por duhet të theksojmë faktin se ti mund të bësh tamponin sot e nuk del i infektuar, pasi mund ta kesh ende të inkubuar virusin dhe nuk të shfaqet. Sot e gjitha po bazohet mbi gjurmimin. Ka vende që e bëjnë tamponin masivisht, por ne nuk e kemi zgjedhur këtë strategji” deklaroi Kryeministri.
Sipas Ramës, për sa kohë rezultati flet në favorin tonë, qartë dhe fort, duhet të keni besim dhe të mos vini në dyshim fjalët tona. Sepse tha, ai nuk janë as shpikje e as produkte bio të politikbërjes, por një politikë e ndërtuar mbi dëgjimin me vëmendje si nxënës dhe mbi leximin si nxënës që do të japin provimin e jetës të ekspertëve./atsh