Loading...

170-vjetori i lindjes së Rilindasit/ Meta: Sami Frashëri afirmoi me largpamësi dëshirën për t’u integruar në Europë

Presidenti Ilir Meta përkujtoi 170-vjetorin e lindjes së Rilindasit të madh Sami Frashëri.

Meta theksoi se në momentet më të errëta të kombit, Sami Frashëri i dha më shumë dritë flakës së atdhedashurisë.

“Sot, në 170-vjetorin e lindjes, nderojmë me respekt e mirënjohje të thellë figurën e ndritur dhe veprën e shquar të atdhetarit, iluministit dhe ideologut të madh të Rilindjes Kombëtare, Sami Frashëri, i cili në momentet më të errëta të kombit i dha më shumë dritë flakës së atdhedashurisë dhe frymëzoi popullin në luftën për pavarësi dhe krijimin e shtetit të lirë shqiptar. Autor i manifestit politik dhe ideologjik, “Shqipëra ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, Sami Frashëri me largpamësi e afirmoi si rrallëkush dëshirën dhe përpjekjet e sotme të shqiptarëve për t’u integruar në Europë, duke thënë se kombi shqiptar ka të drejtë të jetojë në liri dhe të ketë vendin që i takon midis popujve dhe kombeve të qytetëruara europiane”, tha Meta.

Po ashtu, Meta shtoi se “Sami Frashëri me të drejtë kujtohet edhe si konstitucionalisti i parë, duke ideuar projektin e një Kushtetute moderne, me pushtete të ndara në funksion të shtetit të së drejtës. Mirënjohje rilindasve të vërtetë për trashëgiminë e pasur kombëtare, morale dhe politiko-shoqërore, që nuk duhet të mbetet vetëm në librat e historisë, por të mësohet, të ruhet dhe të kultivohet nga brezat e rinj”. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com