Loading...

Basha: Plani ynë i jep fund Shqipërisë që punon për oligarkët

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte sot në Kombinat ku zhvilloi takime me disa biznese të zonës, i cili shprehet se “ajo që kam konstatuar është se ka një rënie të xhiros dhe të konsumit si kurrë më parë”.

“Varfëria është ulur këmbëkryq si kurrë më parë, është i njëjti realitet si në vendet e tjera, në zona të tjera të kryeqytetit, por, po kështu, edhe në qytete të tjera ku bizneset po mbyllen, po falimentojnë, ku njerëzit nuk janë në gjendje të blejnë as plotësojnë nevojat minimale të konsumit të tyre dhe fjala kryesore tek bizneset e para që kam vizituar janë listat. Janë shtuar listat, janë shtuar numri i njerëzve që nuk kanë mundësi të paguajnë as për nevojat minimale të ditës, në dyqanet e bukës, në dyqanet e ushqimit, tek fruta-perimet”, tha Basha.

Ai thekson se “kjo është situata anembanë Shqipërisë dhe konfirmohet edhe nga raporti i fundit i Bankës Botërore i sapo dalë, gjatë ditëve të fundit, i cili thotë se 50% e shqiptarëve; 1 në 2 shqiptarë, 1 në 2 familje shqiptare tashmë ka prekur fundin, është në varfëri, jeton në varfëri”.

“Nuk ka pse të ishte kështu, nuk ka pse kjo krizë të rrënonte absolutisht gjithçka. Arsyeja e vetme është sepse edhe në kohë krize paratë tuaja, paratë e familjeve tuaja, paratë e taksave tuaja, paratë e faturave të rritura të energjisë, paratë e tarifave të rritura, akcizës së rritur të karburantit, në vend që të vinin tek ju për t’ju ndihmuar, për t’ju çliruar nga pesha e shtuar e varfërisë në kohën e pandemisë, prapë se prapë shkuan aty ku kanë shkuar këto 7 vite, te oligarkët, shkuan tek kontratat selektive korruptive në kohë pandemie, shkuan te vjedhja dhe shkatërrimi i pronës publike dhe grabitja e pronës private”, theksoi Basha.

“Kjo situatë e tmerrshme ekonomike ka një dhe vetëm një përgjegjës: njeriun që ka vënë interesat e tij, xhepat e tij, që nuk i dhimbsen shqiptarët, nuk i dhemb gjendja juaj ekonomike dhe ka vënë gjithçka në funksion të pushtetit të tij, pasurimit të tij dhe një grushti oligarkësh me të cilët mban pushtetin. Kjo mund të ndryshojë vetëm duke kthyer vëmendjen tek ju, duke kthyer tek ju paratë e vjedhura e të grabitura gjatë këtyre viteve dhe në veçanti gjatë këtyre muajve të fundit të vështirë të pandemisë, duke kthyer një qeverisje për ju, duke ulur taksat, duke hapur ekonominë dhe duke bërë të mundur që Shqipëria dhe shqiptarët të gëzojnë të mirat materiale të këtij vendi dhe jo vetëm të një grushti oligarkësh për të cilët punon sot gjithë vendi”, shtoi Basha.

“Kjo situatë mund dhe do të marrë fund përmes një bashkimi shumë të madh, përmes një bashkimi të pandalshëm të shqiptarëve përtej bindjeve politike për një dhe një qëllim të vetëm: që Shqipëria të jetë e gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm e Edi Ramës dhe 5 oligarkëve”, shtoi Basha./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com