Mbyllet pas katër orësh takimi i Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore pa gjetur dakordësi për realizimin e kësaj reforme.
Pas katër orësh diskutime, në prezencë edhe të partnerëve ndërkombëtarë, duket se palët nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët.
Gjiknuri: Kodi Zgjedhor do miratohet brenda këtij seksioni parlamentarë, opozitës i janë pranuar një pjesë e mirë e kërkesave
Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri u shpreh se, janë pranuar një pjesë e mirë e kërkesave të opozitës jo parlamentare, por që kjo e fundit ka nisur të çedojë duke nxjerr kërkesa të reja.
“Duhet të informoj njëherë të gjithë publikun, që gjatë gjithë kësaj kohe dhe komisioni i Reformës Zgjedhore dhe Këshilli Politik ka trajtuar me shumë seriozitet rekomandimet e OSBE dhe problematikat e shfaqura nga palët dhe mbi të gjitha është munduar të adresojë një pjesë të mirë të kërkesave të opozitës. Sot që flasim kemi një produkt, një kuadër gati të përfunduar me të gjitha çështjet dhe rekomandimet e ODIHR, po mbi të gjitha, disa kërkesa thelbësore që ditët e fundit opozita i kishte kthyer si një kusht, pra ne kemi gjetur hapësirën dhe do t’i përfshijmë ato”, tha ai.
Gjiknuri deklaroi se “ne nuk e humbim qetësinë, unë do ndjek rrugën ligjore, do informoj Kuvendin dhe Komisionin e Reformës Zgjedhore, po ashtu dhe partnerët ndërkombëtarë”.
“Por, nuk mundet që pasi të biem dakord dhe pasi reflektojmë një pjesë të mirë edhe të kërkesave që quheshin parakusht për organizimin e zgjedhjeve, dhe me dëshmitarë ndërkombëtarë, të fillohet dhe të çedohet duke hequr dorë dhe duke dalë me kërkesa të reja, megjithatë ne nuk e humbim qetësinë, ne do të vazhdojmë të ndjekim procesin ligjor. Unë nesër do të informoj Kuvendin dhe shumë shpejt do të paraqes edhe paketën e dytë, do të informoj Komisionin e Reformës Zgjedhore, dhe njëkohësisht dyert dhe dritaret e komunikimit janë të hapura me opozitën për të vazhduar për të mbyllur dhe ato pak gjëra që ata kanë filluar të ndryshojnë mendje”, tha ai.
“Kemi shqyrtuar dhe parakushtet e opozitës, e nuk dua të negocioj këtu përmes megafonit, por kemi pranuar dhe ato rrisqe të domosdoshme dhe do ketë depolitizim të komisioneve ku palët do kenë garancitë e tyre. Miqtë ndërkombëtarë kanë inkurajuar dialogun dhe natyrshëm do të mbrojnë ato standarde kushtetuese të arritura për drejtësinë dhe integritetin e procesit të drejtësisë në Shqipëri, kjo është e thënë qartë. Ne kemi adresuar kërkesat që asnjë opozitë shqiptare si ka kërkuar ndonjëherë dhe shumë shpejt do ta shikoni, dhe do informoj publikun dhe do ta shikoni vetë dhe do të habiteni kur të dëgjoni, që një pjesë e mirë e kërkesave janë adresuar”,- shtoi Gjiknuri.
“Skema e rekrutimit të komisionerëve është e hapur, kushdo ka të drejtë të aplikojë për komisioner dhe do ketë proces ekstra teknologjik. Ne jemi të hapur për çdo lloj takimi, por do vijojmë punën pasi Shqipëria ka nevojë për një Kod Zgjedhor, parlamenti është legjitim dhe do vijoj punën, është mirë që opozita jo parlamentare të vijë dhe të gjej dakordësinë. Opozita ka një problem me vetingun e s’do ta njohi, por nuk ka sens, e njeh Kushtetuta shqiptare. Te zgjedhjet opozita se pranon vetingun, janë ca gjëra që s’gjejnë argument logjik kur i drejtohesh të tjerëve. Edhe kërkesat ekstreme të opozitës jo parlamentare do bëhet çmos të pranohen, por do bëjë një parashtesë për të reflektuar kërkesat e opozitës.
Pyeteni z.Bylykbashi atëherë nëse është realizuar 100% identifikimi biometrik, janë dakord, kanë më pretendime?Duhet ta pyesni këtë”,- shtoi Gjiknuri.
“Kryekomisioneri votohet me shumicë të cilësuar dhe do bëjmë konsultime me opozitën jo parlamentare. Zgjedhja e anëtarëve të KQZ dhe trupës tjetër rregullatore zgjidhen në të njëjtën mënyrë siç zgjidhen Gjyqtarët e Lartë. Janë pranuar shumë kërkesa të opozitës sa asnjë opozite më herët. Sa kohë ka dhe dëshmitarë ndërkombëtarë dhe në respekt të tyre Kodi Zgjedhor duhet të mbyllet brenda këtij sesioni parlamentar pasi Shqipëria duhet të ketë një Kod Zgjedhor një vit para zgjedhjeve”,- tha Gjiknuri.
Bylykbashi dhe Vasili: PS të heq dorë nga privilegjet në procesin zgjedhor
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi dhe i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasilim, pjesë e opozitës jo parlamentare, kanë bërë të ditur se mazhoranca nuk është e gatshme të heq dorë nga “privilegjet” e tyre në procesin zgjedhor.
“Pas disa orësh përpjekje, opozita bëri propozimet e saj. Ofroi konsensus. PS nuk ishte e gatshme për të arritur këtë konsensus, duke kërkuar të mbaj privilegjet e saj. Ne jemi të gatshëm për të vijuar punën për të gjetur konsensusin dhe presim që edhe PS të bëjë koncesionet e saj dhe të jetë e gatshme për të arritur marrëveshjen”,- tha Bylykbashi.
“Gjithë përpjekjet e Partisë Socialiste, që të mbaj privilegjet e të mos heqi dorë nga kapja e komisioneve zgjedhore, KQZ dhe nga vula që do t’i japi trajtë ligjore procesit zgjedhor me gjykatën e saj, tregojnë vlerën dhe rëndësinë që ka bërë opozita me kërkesën e saj për qeverinë kujdestare. Boshllëqet që duan të krijojnë në proces janë të mëdha. Falenderoj kontributin e partnerëve ndërkombëtarë për të gjetur kompromisin, por PS nuk ishte në gjendje të hiqte dorë nga privilegjet e qeverisë mbi procesin zgjedhor”,- shtoi Bylykbashi.
“Ne jemi të gatshëm për të gjetur zgjidhje për kompromis, por pa cenuar garancitë themelore për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme. Le ti japim kohë PS për të gjetur forcën për të lëshuar nga privilegjet e saj, jemi të gatshëm për ta zgjidhur këtë çështje.
“Biometrika lidhet me depolitizimin e administratës, dhe këto janë të lidhura mes tyre me qëllim që PS të mos ketë kontroll te KQZ apo në Gjykata, kur të gjejmë kompromis për këto çështje, do të zgjidhen dhe do gjendet edhe zgjidhja për të tjerat”,- tha Bylykbashi.
“Kjo nuk është një çështje pazaresh politike, por bëhet fjalë për themelin e votës së lirë. Kjo, qeveria kujdestare dhe kërkesat tona të tjera janë rritje të garancive, jo rënie të garancive minimale, siç ndodhi më 30 qershor, ku Partia Socialiste e vetme në numërim, votim dhe kandidat, kërkoi ta ligjëroj ato palë zgjedhje dhe ju keni asistuar dhe keni qenë dëshmitarë. PS ka vështirësinë e madhe sepse duhet të dalë nga gjumi parisien Kryeministri, që nuk është i shqetësuar për zgjedhjet në Shqipëri, pasi ose i vjedh vetë, ose bënë marrëveshje që i minon po vetë”,- tha Vasili.
“Propozimet tona i japin fund tjetërsimit të vullnetit të shqiptarëve. Ky është një qëndrim parimor që s’ka arsye se përse të negociohet dhe kështu ne plotësojmë një kusht të BE-së, nga 5 kushte që 2016, ka 3 kushte që lidhen me zgjedhjet ku shkaktari kryesor është Edi Rama dhe PS. Në rast se u pranua depolitizimi, kjo bëhet në sajë të identifikimit biometrik, pa një të tillë nuk ecet në elementë të tjerë. Kur PS ka qenë në opozitë kishte gjysmën e komisioneve zgjedhore dhe në më shumë se gjysmat kishte të drejtë vendimmarrje”, theksoi Vasili.
Hajdari: Palët ranë dakord për të mos u dakordësuar
Deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari nënvizoi se palët ranë dakord për të mos u dakordësuar.
“Dua të falenderoj Ambasadën e SHBA që u ngujua në këtë ndërtesë dhe nuk ndalojë deri në momentin e fundit për ti dhënë zgjidhje reformës zgjedhore. Partitë politike dështuan, pasi interesat e tyre janë të ngushta dhe janë thjesht për t’i shërbyer kryetarëve të partive dhe bizneseve të tyre. Pse mendoni ju se vjen këtu Ambasada Amerikane për të negociuar me këta njerëz këtë reformë zgjedhore, vetëm se duan interesin e shqiptarëve, edhe njëherë këta ja mbyllën derën dhe i thanë që nuk janë gati për të mbyllur një marrëveshje, por në momentin e fundit u tërhoqën dhe koha do ti tregojë të gjitha”,- tha Hajdari.
“Kjo reformë zgjedhore duhet të ketë bekimin e shqiptarëve dhe sot nuk e ka bekimin e shqiptarëve dhe pse Ambasada e SHBA u investua për këtë reformë, këta nuk ranë dakord, pasi shohin interesin e kryetarëve të partive të tyre dhe bizneseve të tyre. Në fund bëmë një bisedë të përbashkët dhe ramë dakord në të gjitha pikat për të mos rënë dakord. Ata ishin të investuar që sot të kishte një zgjidhje, dje i propozova të ulenim e të gjenim një dakordësi, edhe dje ishte SHBA dhe BE në tryezë. Se ku e kanë hallin, ju e kuptoni, tek vetja e vetë, jo tek shqiptarët. Ambasada e SHBA vjen këtu pasi duan që kjo reformë duhet të ketë bekimin e shqiptarëve. Duhet ndryshim të sistemit zgjedhor pikërisht për këtë që ndodhi sot. Nëse ne nuk hapim listat këtu do ngelemi, pa asnjë lloj zgjidhje. Këto duan të ndreqin biznesin dhe partitë e tyre. Tani loja është e hapur ende, dhe s’kemi ndryshim sistemi, por kemi një investim tjetër, që ne do rifutemi në lojë. Ne nuk dorëzohemi nga kërkesa jonë për ndryshim sistemi”- tha Hajdari./atsh