Loading...

Shtyrja e re 3-mujore për këstet e kredisë/ Përfitojnë të gjithë individët dhe bizneset në vështirësi për shkak të pandemisë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi sot se, “të gjithë individët, bizneset dhe SME-të, përfitojnë nga shtyrja e dytë e pagesës së kësteve të kredisë, në bankat tregtare, deri në afatin e përcaktuar që është data 31 gusht 2020”.

Gjatë një interviste televizive, Sejko tha se, vendimi për një shtyrje të re 3- mujore, për pagesën e kredive, u mor në bashkëpunim me kryeministrin Edi Rama dhe i vjen në ndihmë, të gjithë kredimarrësve që ndodhen në vështirësi për shkak të situatës së covid-19.

Sejko tha se, individët do të duhet të kontaktojnë me bankën për parashtrimin e vështirësive që kanë në shlyerjen e kredisë dhe në këto raste kredia do të shtyhet. Ashtu sikurse tha ai, ka raste kur klientët nuk kanë vështirësi financiare dhe vijojnë normalisht pagesën e kësteve të kredisë.

“Në total portofoli i kredisë në bankat tregtare është rreth vlerës 4 miliardë euro. Ndërkohë që bankat kanë qenë proaktive dhe portofoli total i kredive të shtyra është 2 miliardë euro. Pra, 50% e të gjithë klientëve kanë pasur nevojë për shtyrjen e pagesës së këstit të kredisë dhe 50% të tjerë kanë vijuar me pagesat. Pra, jo 100% e kientëve kanë pamundësi të pagesave. Procedura e shtyrjes do të jetë njësoj si në shtyrjen e parë të kësteve të kredisë”- tha Sejko.

Guvernatori tha se kjo është shtyrja e fundit që bëhet për kreditë.

“Po, kjo është shtyrja e fundit, është aplikuar si një qasje standarde. Janë marrë edhe vendime të tjera për t’iu mundësuar bankave ristrukturim më të thellë për klientët që kanë vështirësi të mëdha, siç janë fasonët apo sektori i turizmit, apo të tjerë që përballen me më shumë vështirësi dhe që do kenë mundësinë e ristrukturimit të kredisë. Kjo do jetë specifike për secilin rast. Vendimi i djeshëm i ka lehtësuar bankat dhe klientët. Në 3-mujorin e parë përfituan 23 mijë klientë me total portofoli 2 miliardë euro”- tha Guvernatori. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com