Loading...

Ambasada e Shqipërisë në Romë nis nga 3 qershori shërbimet konsullore

Ambasada e Shqipërisë në Romë, Itali, njoftoi sot se “duke filluar nga data 3 qershor 2020 do të rifillojë shërbimi konsullor për praktika që kërkojnë praninë e qytetarëve në sportele”.

“Për shkak të Emergjencës nga COVID-19, për të gjitha takimet e periudhës 11 mars – 30 qershor 2020, për shërbimet që kërkojnë paraqitje në sportel, do të fiksohen data të reja, për të cilat do të njoftohen të gjithë qytetarët e interesuar në adresën e-mail nga ku kanë aplikuar. Nuk nevojitet të aplikohet sërish për të kërkuar takim”, thuhet në një njoftim të Ambasadës.

Në të njëjtën mënyrë, Ambasada njofton se do të njoftohen për datën e takimit edhe qytetarët që kanë kryer kërkesa të reja në portalin Shërbimi Konsullor Online.

“Në mbrojtje të shëndetit dhe zbatim të legjislacionit të Emergjencës COVID-19, ftojmë që prania e qytetarëve në mjediset e Ambasadës të jetë në përputhje me DPCM në fuqi, duke respektuar rregullat e parashikuara që nga ruajtja e distancës ndërpersonale dhe mbajtja e maskës, ashtu edhe matja temperaturës, në hyrje për në Zyrën e Shërbimit Konsullor”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Ambasada kërkon po ashtu të respektohet me përpikëri orari i takimit të caktuar në njoftimin e marrë me e-mail. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com