“Gjermania mbështet reformat e Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Reforma në drejtësi është një element qendror për forcimin e shtetit të së drejtës si dhe të pavarësisë dhe profesionalizmit të sistemit të drejtësisë”.
Kështu deklaroi sot Ambasada Gjermane në Tiranë e pyetur nga një medie mbi mesazhet e publikuara dje nga Presidenti Ilir Meta, ku shquhej qartë dhe emri i ambasadës gjermane.
Duke publikuar këto mesazhe, Meta tha se faktohej ndërhyrja politike në Reformën në Drejtësi.
“Në mbështetjen tonë bën pjesë sigurisht dhe një shkëmbim i rregullt me partnerë shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Vendimet për zbatimin e axhendës së reformave merren në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe vetëm nga institucionet përgjegjëse shqiptare, një pjesë e së cilave është krijuar pikërisht në kuadër të Reformës në Drejtësi”, thuhet në reagimin e ambasadës Gjermane./atsh