Loading...

Meta kthen për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për aktivitetet e turizmit detar”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekretuar sot kthimin në Kuvend për rishqyrtim të ligjit nr. 43/2020 “Për aktivitetet e turizmit detar”.

Në arsyetimet për kthimin e këtij ligji, Presidenti i Republikës vlerëson nismën e qeverisë dhe të Kuvendit për të rregulluar kuadrin ligjor, në të cilin do të duhet të ushtrohen veprimtaritë e turizmit detar, sepse garancia në ushtrimin e këtyre veprimtarive, si nga këndvështrimin ekonomik, ashtu dhe nga këndvështrimi i një shërbimi më të sigurt që u ofrohet qytetarëve në zonat turistike, ka rëndësi të veçantë për nxitjen e turizmit.

Megjithatë, sipas tij, ligji nr. 43/2020 “Për aktivitetet e turizmit detar”, pavarësisht objektivave të deklaruar në nenin 1, për shkak të formulimeve të paqarta të disa dispozitave të tij, duket se nuk shkon kah përmbushjes së këtyre objektivave.

“Ky ligj, ka nevojë për përmirësim dhe duhet të rishqyrtohet në tërësi nga Kuvendi i Shqipërisë, në përputhje me rregullat, parimet kushtetuese dhe legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë”, u shpreh Meta.

Ligji nr. 43/2020, në disa dispozita të tij, bie ndesh me nenet 3, 11, 14/1, 116, 118 të Kushtetutës dhe nuk është në harmoni me disa dispozita të Kodit të Procedurës Civile. Për këto arsye, Presidenti i Republikës ka vendosur kthimin e tij në Kuvend për rishqyrtim”, thuhet në arsyetimin e Presidentit.

“Ligji nr. 43/2020, duke filluar nga dispozita e përkufizimeve, apo në tekstin integral të tij përmban terma dhe fjalë që nuk janë në gjuhën shqipe. Përdorimi i termave në gjuhë të huaj, bën që ligji në tërësi të jetë në kundërshtim me nenin 14, paragrafi 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipëri, që përcakton se: “Gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është shqipja”, shprehet Meta.

“Përdorimi i emërtimeve në gjuhë të huaj, duke u përpjekur t’u jepen edhe përkufizime, bie ndesh edhe me çdo rregull të teknikës legjislative, që dispozitën e përkufizimeve e njeh si një dispozitë jo për të përkthyer terma të huaj në një ligj, sikur të jetë fjalor, por për të zbërthyer për zbatuesin e ligjit, kuptimin e një emërtimi gjithmonë në gjuhën shqipe, duke dhënë një shpjegim të përmbledhur, qoftë edhe shkencor, të përmbajtjes dhe kuptimit të një fjale”, shtoi Meta.

Presidenti në arsyetimin e tij shton se, Ligji nr. 43/2020 “Për aktivitetet e turizmit detar” nuk përcakton rregulla të qarta dhe të kuptueshme, referuar të drejtave dhe detyrimeve që kanë subjektet e këtij ligji duke bërë që shumë dispozita të tij deleguese për rregullimin e çështjeve me akte nënligjore, të jenë në kundërshtim me nenin 11 dhe 118 të Kushtetutës, duke sjellë dhe implikime që lidhen me pasigurinë juridike dhe cenimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike.

“Neni 118, paragrafi 2 i Kushtetutës përcakton se: Ligji duhet të autorizojë nxjerrjen e akteve nënligjore, të përcaktojë organin kompetent, çështjet që duhen rregulluar, si dhe parimet në bazë të të cilave nxirren këto akte.

Mungesa e qartësisë së vullnetit të shprehur të ligjvënësit, që rregullat që duhet të përcaktohen në ligj, ia ka deleguar për rregullim me akt nënligjor Këshillit të Ministrave, pa përcaktuar çështjet konkrete që duhen rregulluar dhe parimet që do të udhëheqin nxjerrjen e këtyre rregullave, jo vetëm që cenon kërkesat e nenit 118, paragrafi 2, i Kushtetutës, por krijon dhe një gjendje të theksuar pasigurie ligjore për operatorët e veprimtarive të turizmit detar”, thuhet në argumentet e presidentit Meta.

“Kjo gjendje pasigurie do t’i shoqërojë ata, sepse në çdo kohë rregullat mund të ndryshojnë, aq shpesh, duke rritur edhe rrezikun e trajtimit preferencial se cilët nga këta operatorë do të mbështeten mbi kriteret subjektive që qeveria herë pas here mund t’i ndryshojë, sipas vullnetit politik të kohës”, shprehet Meta.

“Shqetësimet për të cilat ky ligj kthehet për rishqyrtim, duhen mbajtur në vëmendje për procesin ligjbërës në vazhdimësi, duke i kushtuar rëndësi të veçantë gjuhës së akteve të miratuara, qartësisë dhe koherencës së dispozitave ligjore me pjesën tjetër të legjislacionit në fuqi, në mënyrë që edhe kjo fushë e aktiviteteve zbavitëse të turizmit detar, të zhvillohet nën një regjim të sigurt juridik”, përfundoi Meta./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com