Loading...

Braçe publikon faqen e parë të “New York Times”: Masat në Shqipëri shpëtuan jetë

Zëvendëskryeministri Erion Braçe deklaroi sot se “masat e qeverisë, por edhe bashkëpunimi dhe korrektësia e shumicës dërrmuese të popullit, kanë shpëtuar shumë jetë, duke këputur e penguar zinxhirin e përhapjes së koronavirusit në popullsi”.

Braçe publikoi artikullin e sotëm të New York Times, i cili njofton se shtetasit amerikanë që kanë humbur jetën nga koronavirusi në SHBA po arrijnë në 100 mijë.

“Ne, Shqipëria nuk pësuam kështu! Nuk ka mbaruar akoma, por jemi gjallë, me shëndet dhe jo në një listë gazete! Nuk është gazetë e vjetër. Është New York Times i sotmi! Njofton se shtetasit amerikanë që kanë humbur jetën nga koronavirusi në SHBA po arrijnë në 100 mijë. Emrat e një pjese të tyre janë në këtë listë, në faqen e parë historike të New York Times si homazh! Lutem, lutemi që shpirti i tyre të prehet në paqe. Familjet e tyre të gjejnë ngushëllim e solidaritet tek lutjet e gjithkujt për të afërmit e tyre, beteja e tyre por edhe miliona punëtorëve të shëndetësisë për jetën e secilit ndër ta”, tha Braçe.

Ai theksoi se “në SHBA vijojnë betejën për çdo jetë kur humbjet janë të pashembullta”.

“Pas numrit të pafund të të infektuarve e numrit të frikshëm të jetëve të humbura, më vjen të pyes çdo politikan palaço e çdo sharlatan publik: A ju duket shaka, ekzagjerim,
konspiracion kundër lirisë? Shiheni këtë faqe gazete, është më e fortë se një gotë alkool, është e vërteta. Tani kthehuni tek Shqipëria”, tha Braçe.

Sipas tij, “Shqipëria është e vogël, por ka bërë aq shumë, po bën akoma dhe do të vijoj të bëj për të kuruar, shpëtuar çdo jetë”.

“Masat e qeverisë, bashkëpunimi dhe korrektësia e shumicës dërrmuese të popullit, sakrifica e pamatë e mijëra mjekëve të familjes e në spitale, infermierëve, epidemiologëve, sanitarëve, solidariteti i BE, SHBA e partnerëve të tjerë, kanë shpëtuar shumë jetë;
në spitale duke kuruar por edhe jashtë tyre, në çdo bllok, lagje fshati, qyteti, duke këputur e penguar zinxhirin e përhapjes së koronavirusit në popullsi”, tha Braçe.

“Është pak kjo? Është shumë! Shëndeti i pari pa plaçka bëhet. Jam tallur sa herë kam patur hajdutë përpara në Kuvend, tamam SaLul-at. Por shëndeti, jeta janë të parat! E di që masat e marra dhe të zbatuara në mënyrë shembullore kanë kufizuar liri, kanë ndryshuar mënyrën e jetesës, kanë prishur planet e terezinë e gjithkujt, fëmijë, të rinj që donin shkollat, auditorët, burra e gra që donin punën, të moshuar që kane jetike ajrin e diellin.
Përulësisht ju kërkoj ndjesë! Por na besoni, e gjitha ishte jetike të bëhej kështu për të shpëtuar jetë! Jeni në jetë e vetëm jeta vlen! Thuajani këtë çdo politikani palaço që ju do të vdekur për politikën e tij”, përfundoi Braçe ./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com