Loading...

Parandalimi dhe lufta kundër krimit të organizuar/ Lleshaj: Komiteti Kombëtar i Politikave të bëhet i përhershëm

Ndryshimet në ligjin për “Për policinë e shtetit” parashikojnë krijimin e Komitetit Kombëtar të Politikave për parandalimin dhe luftën kundër krimit të organizuar.

Komisioni për Sigurinë Kombëtare, në drejtimin e kryetares, Ermonela Felaj, zhvilloi sot mbledhjen e tij të radhës, në cilësinë e komisionit përgjegjës, për diskutimin në parim të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për policinë e shtetit”, të ndryshuar.

Propozimet për ndryshim përpara komisionit, i paraqiti ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i cili vuri në dukje se këto ndryshime, në thelb, konsistojnë në dy drejtime.

“E para ka të bëjë me krijimin e Komitetit Kombëtar të Politikave për parandalimin dhe luftën kundër krimit të organizuar, komitet i cili është krijuar edhe me Aktin Normativ nr.1, por duke qenë se ky akt ka një afat vlefshmërie të kufizuar vetëm vitin 2020, nëpërmjet këtyre ndryshimeve, ky komitet bëhet i përhershëm dhe funksionon pranë ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe sigurisë”, tha ministri.

Ndryshimi i dytë, theksoi Lleshaj, “ka të bëjë me krijimin e disa instrumentave teknik në shërbim të policisë, për kryerjen e hetimeve dhe procedimeve policore”.

Relatorja e projektligjit per komisionin, Elena Xhina, shtroi disa pyetje dhe parashtroi argumentat e saj në lidhje me propozimet për ndryshim në ligjin: “Për Policinë e Shtetit”.

Në fjalën e saj deputetja Xhina theksoi vëmendjen që duhet të ketë komisioni për sa i përket aspekteve që kanë të bëjnë me liritë dhe të drejtat e njeriut.

Më tej komisioni vijoi me diskutime të anëtarëve.

Në përfundim, kryetarja e komisionit, Ermonela Felaj, bëri me dije, se do të vijojnë diskutimet në komision për projektligjin në fjalë, pasi ky projektligj të kalojë për diskutim dhe në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut, meqënëse në të, bëhet fjalë dhe për disa aspekte të të drejtave të njeriut./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com