Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi sot se “opozita, Partia Demokratike do të mbështesë të gjitha protestat e ‘Aleancës për Teatrin’ këtu në Tiranë dhe në krah të qytetarëve kudo që do të ketë protesta. PD dhe opozita do të jetë në krah të tyre”.
Në një prononcim për mediet pas protestës së thirrur nga “Aleanca për Teatrin”, Basha theksoi se “siç e patë sot, siç e pa e gjithë Shqipëria, shpresa e Edi Ramës se përmes frikës dhe terrorit do të shuante energjinë dhe dëshirën e shqiptarëve për ndryshim mori fund”. Sipas tij, shkatërrimi i teatrit nuk është fundi i teatrit, kulturës e artit, por është fillimi i fundit të tiranisë.
Sipas tij, ky fund do të jetë i shpejtë, çlirimtar për shumicën dërrmuese të shqiptarëve.
“Përsëris edhe një herë vendosmërinë time, të PD-së dhe opozitës së bashkuar për t’i qëndruar kontratës së firmosur me “Aleancën për Teatrin” për rindërtimin e teatrit në vendin ku ishte, sipas të gjitha përcaktimeve siç ishte nga jashtë, të modernizuar nga brenda dhe për dërgimin para drejtësisë dhe prapa hekurave, të gjithsecilit prej personave të përfshirë në këtë krim”, – tha Basha./atsh